Për dekada, nafta ka qenë shtylla kryesore e ekonomisë ruse, edhe më shumë se eksportet e gazit drejt Europës. Së fundmi, shqetësim ka shkaktuar mundësia e rënies së çmimeve të naftës, për shkak të planeve amerikane për kontrollin e infrastrukturës naftëmbajtëse të Venezuelës, vendi me rezervat më të mëdha të konfirmuara të naftës në botë, thuhet në një analizë te, The Guardian.
Analistët parashikojnë se një rritje e prodhimit venezuelian mund të ulë ndjeshëm çmimet ndërkombëtare dhe, rrjedhimisht, të ndikojë në të ardhurat e Rusisë.
Nga ana tjetër, sanksionet amerikane ndaj gjigantëve energjetikë si Rosneft dhe Lukoil, si dhe forcimi i rublës, kanë reduktuar të ardhurat ruse nga shitjet e naftës në dollarë. Megjithëse disa parashikojnë një kolaps ekonomik, pas katër vjetësh luftë në Ukrainë, realiteti duket më kompleks.
Ekonomia ruse ka ngadalësuar rritjen thuajse në zero, ndërsa qeveria përpiqet të mbajë nën kontroll inflacionin. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një rritje prej vetëm 1% për 2026, me norma interesi rreth 20%, taksa më të larta dhe papunësi shumë të ulët, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe emigrimit të të rinjve.
Sipas analistëve, familjet ruse do të përballen me të ardhura të ngrira, ndërsa reduktimet në shpenzime dhe pensione u transferojnë barrën periferive. Në këtë klimë, sipërmarrjet kanë pak stimuj për investime.
Megjithatë, Rusia ka treguar një rezistencë të dukshme, ndryshe nga Irani, duke shfrytëzuar burime të brendshme dhe krijuar një “flotë të errët” prej qindra anijesh për të transportuar naftë drejt Turqisë dhe Indisë. Analistët theksojnë se masa të rrepta të sigurimeve nga qendrat financiare evropiane mund të ndikojnë më tej në të ardhurat e Moskës.
Edhe pse të ardhurat nga nafta kanë rënë nga 50% në 25% të buxhetit shtetëror, qeveria mbulon mangësitë me taksa më të larta dhe mbështetje nga aleatët si Kina. Analistët vlerësojnë se ekonomia ruse po funksionon në një “komë të kontrolluar”, duke shmangur kolapsin.
Në përfundim, ekonomia ruse përballet me presion të madh dhe perspektiva afatgjata të ngadalësimit, por një rënie e menjëhershme e çmimeve të naftës ka pak gjasa të shkaktojë kolaps.
Analistët rekomandojnë që qeveritë europiane të mos mbështeten në një rrëzim të Rusisë, por të vazhdojnë mbështetjen ushtarake dhe politike për Ukrainën dhe të forcojnë presionin mbi tregtinë ruse.









