Ky punim analizon veprimet politike, ekonomike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në periudhën e fundit, duke shqyrtuar nëse nga Uashingtoni po ndërtohet një rend i ri ekonomiko-juridik ndërkombëtar apo po konsolidohet pushteti i shtetit më të fortë ndaj shteteve të tjera.
Analiza mbështetet në zhvillimet konkrete në marrëdhëniet tregtare globale, Lindjen e Afërt, Amerikën Latine, Arktikun (Grenlanda), Ballkanin, Ukrainën dhe rajonin Indo-Paqësor, si dhe në rivalitetin strategjik SHBA–Kinë–Rusi.
- Pikësynimet e administratës amerikane
Që para marrjes së pushtetit, gjatë fushatës elektorale dhe më pas në ushtrimin e pushtetit, administrata e z. Donald Trump paraqiti hapur pikësynimet strategjike të pushtetit në Uashington. Marrja e pushtetit u shoqërua me vendosjen e taksave mbi 100% për shumë produkte që vinin nga Bashkimi Evropian, Kina, Japonia, Amerika Latine dhe Kanadaja në SHBA.
Ky mekanizëm detyroi shtetet e ndryshme, veçmas ose në kuadër të bashkësive shtetërore, të hyjnë në negociata të drejtpërdrejta me Administratën në Uashington për të rregulluar raportet e tyre ekonomike me SHBA-të. Marrëveshjet u arritën dhe ato ishin në favor të SHBA-ve, për shkak të presionit shumë të lartë amerikan¹.
Në këtë fazë u krijua bindja se nga Uashingtoni po ndërtohej një rend i ri ekonomiko-juridik ndërkombëtar. Megjithatë, zhvillimet e mëvonshme treguan se ky koncept u la mënjanë në funksion të realizimit të drejtpërdrejtë të pikësynimeve politike dhe strategjike të SHBA-ve ndaj shteteve të caktuara.
- Lindja e Afërt dhe vendosja e pushtetit rajonal
Administrata amerikane fillimisht u përqendrua në Lindjen e Afërt. Me bombardimet masive kundër Hamasit në Rripin e Gazës dhe Hezbollahut, këto dy organizata nacional-terroriste u dobësuan ndjeshëm. Si rezultat, Hamasi u detyrua të pranojë planin amerikan për paqen në Rripin e Gazës².
Me këto veprime dhe me kërcënime të drejtpërdrejta, SHBA-të pothuajse arritën të vendosin pushtetin e tyre në të gjithë rajonin. Paralelisht, Izraeli ndërmori sulme të ashpra ndaj objekteve ushtarake iraniane, ndërsa Irani u bombardua edhe nga vetë SHBA-të, çka çoi në dobësimin dhe largimin e ndikimit iranian në rajon³.
Aktualisht, në Iran po zhvillohen demonstrata dhe protesta të mëdha dhe priten ndryshime të rëndësishme politike. Gjendja rajonale u stabilizua përmes forcimit të Izraelit si fuqi rajonale dominuese.
- Venezuela dhe Amerika Latine
Prej kohësh, SHBA-të kanë kërkuar që Venezuela të hapet dhe të lejojë firmat amerikane në shfrytëzimin e naftës, mineraleve dhe gazit. Me mjete paqësore ky qëllim nuk u arrit. Ish-presidenti Maduro, pas bombardimeve dhe një aksioni të suksesshëm ushtarak, u kap dhe, së bashku me bashkëshorten, u dërgua para gjykatave në SHBA⁴.
Ky veprim e detyroi Venezuelën të pranojë kushtet dhe pretendimet e SHBA-ve, duke hapur rrugën për shfrytëzimin e pasurive nëntokësore të këtij shteti nga kompanitë amerikane.
- Grenlanda dhe interesat arktike
Pretendime territoriale SHBA-të po shfaqin edhe ndaj Grenlandës, e cila ndodhet nën sovranitetin e Danimarkës, shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s. SHBA-të kanë kërkuar që, me paqe ose me mjete të tjera, ta marrin këtë territor nën sundimin e tyre dhe ta bëjnë pjesë integrale të SHBA-ve⁵.
Arsyetimi zyrtar lidhet me interesat gjeostrategjike amerikane, por ekzistojnë edhe interesa të mëdha ekonomike, pasi Grenlanda është e pasur me xehe të rralla dhe burime gazi. Janë përmendur edhe oferta financiare deri në 100 mijë dollarë për banor.
- Arsyet e veprimeve amerikane
Veprimet e SHBA-ve po ndërmerren për dy arsye kryesore:
- Ndërtimi i një rendi të ri ekonomiko-juridik ndërkombëtar
- Vendosja e ndikimit politik përmes fuqisë ushtarake
Në këtë kontekst, SHBA-të kanë vepruar kryesisht kundër shteteve që konsiderohen si vegla ose aleatë strategjikë të Rusisë dhe Kinës. Të gjitha veprimet në Lindjen e Afërt, Venezuelë dhe në shumë shtete të Amerikës Latine janë të drejtuara kundër ndikimit ruso-kinez⁶.
- Azia, Kina dhe Deti i Kinës Jugore
SHBA-të kanë rritur ndikimin edhe në Filipine dhe Tajvan, ku pretendimet kineze janë të hapura. Deti i Kinës Jugore paraqitet si baza e konfliktit të ardhshëm: në njërën anë janë SHBA-të, Japonia, Koreja e Jugut, Filipinet dhe Australia; në anën tjetër Kina dhe Rusia⁷. Pozicionimi i Indisë mbetet ende i paqartë.
- Ballkani
Edhe Ballkani paraqet një zonë me tensione dhe ndarje të thella politike. SHBA-të synojnë një Ballkan demokratik dhe perëndimor, por kjo nuk po realizohet plotësisht. Hungaria dhe Serbia janë të lidhura drejtpërdrejt me Rusinë, ashtu si edhe Republika Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë.
Dualizëm politik ekziston edhe në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Greqi, ndonëse këto shtete janë anëtare të NATO-s.
Me SHBA-të janë të lidhura kryesisht Kosova dhe Shqipëria, pra populli shqiptar.
Ndikim të rëndësishëm në Ballkan ushtron edhe Turqia, e cila, së bashku me SHBA-të, mbetet faktor kyç në këtë rajon.
- Ukraina, BE-ja dhe Rusia
Konfliktet janë të thella edhe brenda Bashkimit Evropian lidhur me luftën në Ukrainë. SHBA-të mbështesin një plan paqeje ku katër krahinat lindore të pushtuara nga Rusia të njihen si territor rus, ndërsa BE-ja mbështet autoritetet në Kiev duke kërkuar që Ukraina të vendosë vetë⁸.
BE-ja ka dhënë ndihmë financiare prej rreth 95 miliardë eurosh. Ende nuk dihet përfundimi i luftës. SHBA-të synojnë përfundimin e saj për të krijuar raporte të reja me Rusinë në funksion të përballjes strategjike me Kinën.
- Kina si kundërshtar strategjik
Për Uashingtonin, kundërshtari kryesor strategjik është Kina. Kjo reflektohet përmes rritjes së pranisë ushtarake amerikane në Detin e Kinës Jugore, ndihmave të mëdha ushtarake për Tajvanin dhe presionit ndaj vendeve të NATO-s për të rritur buxhetet e mbrojtjes deri në 5% të prodhimit të brendshëm bruto⁹.
Kudo po insistohet ruajtja e pushtetit politik dhe ushtarak të NATO-s dhe SHBA-ve. Forca ushtarake pritet të rritet më tej, me SHBA-të në rol qendror.
Fusnota / Referenca
- World Trade Organization, Trade Policy Review: United States
- United Nations Security Council Reports on Gaza
- International Crisis Group, Iran–Israel Escalation Dynamics
- U.S. Department of Justice, Venezuela-related indictments
- Congressional Research Service, Greenland and U.S. Strategic Interests
- Chomsky, N. Hegemony or Survival
- Council on Foreign Relations, South China Sea Disputes
- European Council, EU Assistance to Ukraine
- NATO, Defence Expenditure of NATO Countries









