Peter Sorensen – i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – tha gjatë një vizite në Prishtinë të mërkurën se do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet.
Sorensen u takua mëngjesin e së mërkurës me udhëheqësit e Kosovës, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Duke folur për media pas takimit me presidenten, Sorensen tha se “kam shpresa se viti 2026 do të na japë atë që viti 2025 nuk na e dha”.
“Prandaj, po e nisi vitin e ri me një udhëtim pune këtu dhe në Beograd më vonë gjatë javës. Çfarë do të bëjmë ne është të sigurohemi që palët të ulen dhe të bisedojnë. Duhet ta gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë”, theksoi Sorensen.
Pas takimit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se fitorja e partisë së tij në zgjedhjet e 28 dhjetorit garanton stabilitet institucional dhe siguron “përfaqësim të drejtë dhe parimor të Kosovës në dialog.
“Sa i përket palës tjetër në dialog, kryeministri vlerësoi se e njëjta gjë nuk mund të thuhet për lidershipin në Serbi”, u tha në njoftim.
Kurti, sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e tij, tha se Kosova është e gatshme për normalizim të raporteve me Serbinë dhe dialog konstruktiv në Bruksel.
Por, ai sërish kërkoi që Serbia të dorëzojë Millan Radoiçiqin – ish-nënkryetarin e Listës Serbe që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në shtator të vitit 2023 – dhe tërheqjen e “letrës së ish-kryeministres [së Serbisë, Ana] Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara”.









