Rusia ka urdhëruar dëbimin nga vendi të një diplomati britanik, duke e akuzuar për spiunazh kundër shtetit.
Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi se diplomatit, identiteti i të cilit nuk u bë publik, i janë dhënë dy javë afat për t’u larguar nga vendi.
Sipas deklaratës zyrtare, vendimi u mor pasi Moska mori informacione “mbi lidhjen e një punonjësi diplomatik në ambasadën britanike me shërbimin sekret britanik”.
Në një postim të publikuar në kanalin Telegram të FSB-së, agjencisë ruse të inteligjencës së brendshme, thuhet se e ngarkuara me punë e Mbretërisë së Bashkuar në Moskë, Danae Dholakia, është thirrur për t’u informuar për dëbimin e diplomatit.
Ministria e Jashtme ruse deklaroi se Moska nuk do të “toleronte aktivitetet e oficerëve britanikë të inteligjencës të padeklaruar në territorin rus” dhe paralajmëroi se Rusia do të reagojë në mënyrë vendimtare nëse Mbretëria e Bashkuar “e përshkallëzon situatën”.
“U dha gjithashtu një paralajmërim se, nëse Londra e përshkallëzon situatën, pala ruse do të japë një përgjigje vendimtare ‘pasqyrë’”, thuhet në deklaratë.
Marrëdhëniet diplomatike mes Rusisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë qenë të tensionuara, veçanërisht që nga nisja e luftës në Ukrainë.
Të dy vendet kanë dëbuar periodikisht diplomatët e njëri-tjetrit. Më së fundmi, në mars të vitit të kaluar, Rusia dëboi një diplomat britanik dhe bashkëshorten e një tjetri, duke pretenduar se ata ishin spiunë.
Në kundërpërgjigje, Mbretëria e Bashkuar dëboi një diplomat rus.
Në atë kohë, sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, akuzoi Moskën për një “fushatë të pandërprerë dhe të papranueshme intimidimi” ndaj stafit të ambasadës britanike dhe kritikoi përpjekjet e përsëritura të Rusisë për të kërcënuar sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar.









