Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se duhet të miratohet një ligj i ri për arsimin e lartë, jo shumë vite pas miratimit të ligjit që shkaktoi mjaft zhurmë, protesta dhe kundërshtime.
“Duke vlerësuar sinqerisht bashkëpunimin që kemi ndërtuar dhe vijmësinë e komunikimit në një rrugë sa institucionale aq edhe të hapur informale, gjë që na ka dhënë mundësinë të jemi vazhdimisht në kontakt me njëri-tjetrin dhe të dëgjojmë e të kuptojmë më shumë në kohë reale, është koha për të rivizituar ligjin e arsimit të lartë, pasi ka kaluar një periudhë e mjaftueshme për të reflektuar ndryshimet që ka sjellë koha.
Fatmirësisht kemi një praktikë të mirë të mëparshme, ligji aktual është shkruar me kontributin tuaj dhe ma ha mendja se ky do të jetë rasti përsëri. Shpresoj e besoj që edhe për shkak të eksperiencës dhe se në këtë rast nuk bëhet fjalë për përmbysje, por korrektime, do të jetë e mundur ta bëjmë në një kohë të arsyeshme dhe nuk do presim sesionin tjetër të parlamentit për ta përgatitur bazën, pastaj procedura parlamentare mund të jetë në fund të sesionit, por ajo që është e rëndësishme është të organizohemi në një grup të përbashkët.
Në takimin e ardhshëm të mblidhemi për të diskutuar hapur procesin dhe do doja të ftonim edhe të gjithë rektorët e universiteteve private. Kemi dy kampuse përpara, atë të Tiranës, në ndërkohë kemi hapur procesin për kampusin e universitetit Aleksandër Moisiu. Ka një potencial për të krijuar edhe infrastrukturë qëndrimi rezidence të studentëve, duke pasur parasysh që treni do të jetë në funksion së shpejti. Do të jetë e thjeshtë që studentët në Tiranë të strehohen në kampusin e Durrësit, prandaj do ndërtojmë një kompleks studentor rezidencial, për shkak të çmimeve të larta në Tiranë, edhe në Durrës xhanëm, por në Tiranë” tha ai.









