Takimi për krizën midis SHBA-së, Danimarkës dhe Grënlandës nuk solli ndonjë zgjidhje lidhur me konfliktin për ishullin Arktik. Ministri i Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen tha pas takimit me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe Zëvendëspresidentin e SHBA-së JD Vance, se midis palëve vazhdon të ketë një “dallim themelor në qëndrime”. Në bisedime mori pjesë gjithashtu edhe Ministrja e Jashtme e Groenlandës Vivian Motzfeldt.
Trump i palëkundur në qëndrimin e tij
Presidenti i SHBA-së Donald Trump e kishte bërë të qartë para takimit njëorësh, i cili u zhvillua në një ndërtesë qeveritare amerikane pranë Shtëpisë së Bardhë, se nuk do të lëvizte asnjë centimetër nga pretendimi i tij territorial. Çdo gjë tjetër përveç Grënlandës në duart e Shteteve të Bashkuara është “e papranueshme”, shkroi Trump në platformën e tij online TruthSocial.
Grup pune për gjetjen e një rruge të përbashkët
Rasmussen tha se ai dhe Ministrja e Jashtme e Grënlandës Vivian Motzfeldt shkruan në Uashington pas “një serie, si të them, deklaratash të jashtëzakonshme publike lidhur me sigurinë e Grënlandës dhe të Arktikut”.
“Qëllimi ynë ishte të gjenim një rrugë të përbashkët për ta rritur këtë siguri”. Në bisedimet me Zëvendëspresidentin amerikan Vance dhe Sekretarin Amerikan të Ahtetit Rubio u ra dakord të formohet një grup pune i nivelit të lartë për të përcaktuar, nëse mund të gjendet një rrugë e përbashkët që do të respektonte si interesat e sigurisë së SHBA-së ashtu edhe vijat e kuqe të Mbretërisë së Danimarkës, tha Rasmussen. Ky grup pune pritet të takohet për herë të parë brenda disa javësh./ DW









