Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Me apo pa opozitën reformat do të ecin përpara”. Është ky mesazhi që u është përcjellë socialistëve në mbledhjen e grupit parlamentar. “Edhe njëherë socialistëve u është bërë e qartë që me apo pa opozitën reformat do të ecin përpara” tha ai.
Rama theksoi rëndësinë e koordinimit të veprimeve midis qeverisë dhe parlamentit për të përballuar sfidat e këtij procesi dhe për të integruar vendin në realitetin e një tregu europian prej 450 milionë njerëzish.
“Qëllimi i kësaj mbledhjeje ishte i dyfishtë: nga njëra anë, të bëjmë një përmbledhje të punës dhe të sfidave të grupit të ri parlamentar gjatë sesionit të kaluar, i cili shënoi hapjen e legjislaturës së re; nga ana tjetër, të vendosim disa prioritete të përbashkëta për periudhën e ardhshme, në një vit që ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë.
Ky vit shënon fazën më intensive të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Është e qartë se, brenda një harku relativisht të shkurtër prej vetëm dy vjetësh, vendi duhet të përmbushë të gjitha kushtet e nevojshme për të përmbyllur me sukses këtë proces. Ky objektiv kërkon përkushtim të plotë nga të gjitha institucionet dhe sektorët prodhues të vendit.
Brenda Grupit Parlamentar dhe Qeverisë, kemi diskutuar hapur sfidat dhe detyrimet që na presin, duke e bërë të qartë edhe në opinionin publik rëndësinë e këtyre përpjekjeve. Sfida kryesore nuk është vetëm përmbushja e kritereve të BE-së, por edhe integrimi i Shqipërisë në një realitet të ri ekonomik dhe politik, atë të një tregu prej 450 milionë njerëzish, ku vendi ynë do të jetë një aktor aktiv dhe i gatshëm për të kontribuar.
Në këtë kontekst, negociatat nuk janë vetëm një formalitet, por një proces strategjik, i cili do t’i mundësojë vendit të përgatitet dhe të plotësojë të gjitha kushtet për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Mbledhja e sotme shërbeu për të koordinuar veprimet tona dhe për të siguruar që çdo hap të jetë i qartë dhe efektiv”, tha Rama.









