-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

NATO vendos “Rojen e Arktikut” për Grenlandën?

Kryesoret

Një nga mënyrat e mundshme për t’i ulur tensionet e tanishme politike mes Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me të ardhmen e Grenlandës mund të jetë themelimi i një misioni të udhëhequr nga NATO-ja, i quajtur “Roja e Arktikut”.

Kjo ide lindi kur ambasadorët e aleancës ushtarake u mblodhën në Bruksel më 8 janar për të biseduar për çështjen e Grenlandës, ishullit danez, pasi Shtëpia e Bardhë shprehu interesim që Shtetet e Bashkuara ta përvetësojnë atë, madje duke mos e përjashtuar as ndërhyrjen ushtarake për ta arritur këtë qëllim.

NATO-ja veçse themeloi dy misione të ngjashme më 2025: fillimisht “Roja e Baltikut”, si përgjigje ndaj sabotimeve të shumta nënujore në Evropën Veriore, dhe më pas “Roja e Lindjes”, e cila u krijua pak pasi një inkursion i madh me dronë rusë ndodhi në Poloni.

Këto dy “roje” janë ende në vazhdim. Ato cilësohen gjithashtu si suksese të mëdha, sipas zyrtarëve të NATO-s me të cilët ka folur Radio Evropa e Lirë (REL), në kushte anonimiteti.

Por, a mund të përsëritet diçka e ngjashme përreth dhe ndoshta brenda Grenlandës?

Ministri i Mbrojtjes i Belgjikës, Theo Francken, e ka mbështetur publikisht idenë, ndërsa Londra dhe Berlini po tregohen gjithnjë e më të hapur ndaj saj.

Në takimin në Bruksel, pati njëzëshmëri se NATO-ja duhet ta rrisë angazhimin në rajonin e Arktikut.

“Kanadaja ka vite që bërtet për nevojën e rritjes së përpjekjeve në Veriun e Lartë, prandaj nuk mund të themi se Uashingtoni është i pari që e sjell këtë në tryezë”, u shpreh një diplomat evropian.

Shtatë nga tetë të ashtuquajturat vende arktike janë anëtare të NATO-s, duke përjashtuar Rusinë. Dhe, megjithëse ujërat përreth Grenlandës tani për tani nuk janë të mbushura me anije ruse dhe kineze, kjo mund të ndryshojë pasi akulli i Arktikut po shkrihet me shpejtësi dhe po hapen rrugë të reja detare.

Komandanti suprem i aleatëve të NATO-s (SACEUR) dhe gjenerali i lartë amerikan në Evropë, Alexus Grynkewich, theksoi së fundmi në një konferencë ushtarake në Suedi se anijet ruse dhe kineze “nuk janë duke studiuar fokat dhe arinjtë polarë”.

Ai shtoi se anijet “janë duke kryer studime batimetrike dhe duke u përpjekur të kuptojnë si mund t’i luftojnë kapacitetet e NATO-s mbi dhe nën det. Kjo është diçka që mund të rritet shumë shpejt, dhe ne duhet të jemi të vëmendshëm dhe të gatshëm”.

Në të njëjtën kohë, Grynkewich shtoi se çdo mision i NATO-s në këtë kohë është “i parakohshëm”.

Duke folur në Berlin në fillim të kësaj jave për një mision të mundshëm si “Roja e Arktikut”, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, theksoi gjithashtu se një nismë e tillë merr me muaj kohë.

Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është i angazhuar në bisedime me Uashingtonin për atë se si aleanca mund ta rrisë angazhimin, në një mënyrë ose tjetër.

Diplomatë evropianë i kanë thënë REL-it se nisma “Roja e Arktikut” mbase do ta hidhte poshtë argumentin se Grenlanda duhet të jetë e Shteteve të Bashkuara dhe se do të dëshmonte se Evropa mund t’i përballojë dy fronte njëkohësisht: Rusinë në lindje dhe Rusinë dhe Kinën në Arktik.

“Në shumë aspekte, këtu bëhet fjalë edhe për ndarjen e barrës”, tha njëri prej tyre, duke shtuar se një skenar i mundshëm mund të përfshijë mbikëqyrjen ajrore dhe detare nga evropianët, dhe rritjen e pranisë së trupave amerikane në Grenlandë.

Shtetet e Bashkuara i kanë një personel prej 200 vetash në një bazë në Grenlandë, të angazhuar në paralajmërimin e hershëm për raketat balistike dhe mbikëqyrjen hapësinore. Gjatë Luftës së Ftohtë, megjithatë, në ishull kishte deri në 10.000 trupa amerikane të shpërndara në 17 baza./ REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit