Familja e Altin Meçajt, i dhunuar në pragun e shtëpisë në fshatin Vjosë të Fierit më 10 janar, ka reaguar pas spekulimeve në media dhe rrjete sociale.
Motra e tij, Xhuli Meçaj, thekson se mesazhet që u bënë publike ditët e fundit janë të sajuara dhe kërkon që drejtësia të vendosë pa ndërhyrje nga publikimi sensacional.
“Duam që kjo telenovelë të marrë fund. Nga shteti kërkojmë vetëm drejtësi,” tha ajo, duke shtuar se respekti për familjen Lamaj ka qenë maksimal dhe situata mund të ishte zgjidhur pa tension.
Babai i Altin Meçajt, Ylli Meçaj, përshkroi momentet e dhunës: “Isha në gjumë dhe dëgjova thirrjet për djalin. Kur dola jashtë, e pashë të rënë pa ndjenja. Duhet drejtësi,” tha ai.
Ndërkaq, motra e Fredi Lamajt mohoi akuzat, duke theksuar se mesazhet e dërguara nga Altin Meçaj ishin të padëshiruara dhe kishin shkaktuar shqetësime emocionale. Familja Meçaj kërkon që organet ligjzbatuese të hetojnë ngjarjen dhe të vendosin drejtësinë, pa zhurmë mediatike.









