Kaosi dhe trafiku i rënduar janë rikthyer në rrugën kombëtare që lidh Tiranën me Elbasanin dhe Juglindjen e Shqipërisë.
Që prej orës 14:30 të së shtunës, drejtuesit e mjeteve janë përballur me radhë të gjata dhe lëvizje tepër të ngadalësuara në segmentin Tuneli i Krrabës – Rrethrrotullimi i Bradasheshit.
Fluksi i shtuar i automjeteve drejt Pogradecit dhe Korçës ka rënduar qarkullimin, pasi shumë familje nga Tirana udhëtojnë për fundjavë.
Shërbimet e Policisë Rrugore janë përforcuar për të menaxhuar situatën, por mungesa e infrastrukturës e bën të vështirë kalimin e trafikut normal.
Për shkak të fluksit të automjeteve dhe motit të keq, gjatë javës së parë të vitit, radhët kanë arritur deri në 25 kilometra, duke sjellë vonesa dhe lodhje për qytetarët. Drejtuesit e mjeteve kërkojnë zgjidhje afatgjata infrastrukturore dhe sugjerojnë udhëtime jashtë orareve të pikut për të shmangur pritjet e gjata.









