Dorjan Teliti, koordinatori për programin ekonomik në PD, ka paraqitur një paketë prej 4 miliardë eurosh për periudhën 2026–2040.
Kjo paketë synon të mbështesë familjet, rininë dhe bujqësinë, duke përfshirë masa për strehim të përballueshëm, lehtësime fiskale dhe mbështetje për sektorët prodhues.
Teliti ka theksuar se kjo është një alternativë ndaj qeverisjes aktuale, që sipas tij ka çuar në varfërim dhe emigracion masiv.
Mesazhi i plotë
Jetojmë në kohë të vështira. Cmimet rriten çdo ditë, pagat dhe pensionet mbeten më të ulëtat në rajon, familjet mezi përballojnë jetesën, të rinjtë po largohen masivisht nga Shqipëria, ky është realiteti ekonomik&social i shqiptarëve sot. Shqipëria po varfërohet dhe po zbrazet, sepse politikat aktuale nuk prodhojnë mirëqenie, por varfërim dhe emigracion.
Paketa 4 miliardë euro 2026–2040 e Partisë Demokratike është alternativa politike ndaj këtij modeli të dështuar dhe adreson rrënjën e një sërë problemesh, duke filluar nga:
Mbështetje reale për familjet – bonus për lindjet, pagesa mujore për fëmijët dhe lehtësim të shpenzimeve për arsim e shëndetësi.
Lehtësim fiskal për të rinjtë – duke filluar me përjashtimin nga TAP për të rinjtë.
Strehim i përballueshëm për çiftet e reja – kredi të buta dhe subvencione direkte për banesën.
Punë dhe prodhim vendas – mbështetje konkrete për bujqësinë, zonat rurale dhe hapjen e linjave të reja të prodhimit.
Rikthim dhe qëndrim në Shqipëri – politika konkrete për ndalimin e emigracionit dhe kthimin e shqiptarëve në atdhe.
Paketa 4 miliardë euro do bëjë të mundur të jetuarit me dinjitet në Shqipëri, jo për ta braktisur atë.
Paketa 4 miliardë euro është një arsye më shumë për të protestuar në 24 janar, pasi Shqipëria ka nevojë për ndryshim kursi dhe vizion afatgjatë.









