Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar lidhur me mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, duke kërkuar që ky organ të mblidhet sipas rregullores për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e ministres Belinda Balluku.
Ajo ka akuzuar socialistët se po përdoren si “kartona” nga kryeministri Edi Rama dhe ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të seancave parlamentare, duke theksuar se opozita po mohohet dhe nuk i jepet mundësia të shprehet dhe të përfaqësojë interesat e qytetarëve.
“Duhet të kesh guxim të tepruar dhe pafytyrësi të thuash që sesioni i kaluar ishte sukses dhe dhënie hapësire për deputetët e opozitës. Treguesi kohor që citon Balla, ku opozita ka folur 48 orë dhe mazhoranca 40 orë, tregon që paskeni folur shumë. Sepse Edi Rama ju trajtoi si kartona dhe ushtarë pa personalitet, duke ju thënë: ‘Mos diskutoni, por vetëm miratoni projektligje.’ Edhe në këtë porosi, ku askush nga ju s’e kundërshtoi, ju ftoj që këtë sesion të flisni 4 orë gjithsej, sepse atë rol ua kanë dhënë: si kartona.
Opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve sipas rregullores, ju e shkelni. Opozita kërkon mocion me debat për problemet e shqiptarëve, ju e mohoni. Opozita kërkon interpelanca me kryeministrin, ju s’i lejoni. Për çfarë flisni atëherë?
Mjafton të shikosh edhe këtë projekt-kalendar: asnjë nga projektligjet e deputetëve të opozitës nuk ka një datë për shqyrtim. Zero, asnjë, sa për sy e faqe. Data kanë vetëm projektligjet e qeverisë dhe ato të deputetëve tuaj, që nuk i kanë bërë as vetë, por i sjellin të qeverisë për të shmangur procesin e konsultimit publik.









