Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ekzekutoi sot masat e sigurisë ndaj gjashtë punonjësve të policisë dhe një shtetasi civil, si pjesë e operacionit “Last Bet”, i zhvilluar në rajonet Elbasan dhe Korçë.
Efektivët, duke shfrytëzuar atributet e funksionit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe favorizuar ushtrimin e llotarive të palejuara / basteve sportive.
Konkretisht masat u ekzekutuan për: Nënkomisar R.T., me detyrë Specialist për krimet, pranë Stacionit të Policisë Manëz, në Komisariatin e Policisë Durrës; Inspektor E.K., me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës; Komisar D.S., me detyrë Shef i Seksionit për hetimin e krimeve në volum në Komisariatin e Policisë Devoll; Nënkomisar A.M., me detyrë Përgjegjës turni pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës; Inspektor G.B., me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës; Shtetasi I.T., banues në Tiranë; Inspektor E.D., me detyrë Trupë shërbimi operacional pranë Seksionit Special të Ndërhyrjes Taktike, në njësinë speciale “Renea”.
Sipas burimeve jozyrtare thuhet se në dosjen hetimore ndaj tyre, ku në vijim të veprimeve hetimore të kryera është administruar akti i ekspertimit teknik të sendeve celularë sekuestruar personave nën hetim E.P. dhe I.T., nga ku ndër të tjera në interes të hetimit kanë rezultuar komunikime të tyre me përmbajtje organizimi dhe ushtrimi të lojërave të fatit.
Ndër të tjera janë evidentuar të ruajtura biseda të zhvilluara në aplikacionin e komunikimit “WhatsApp” midis punonjësit të policisë, dhe shtetasit I.T. me përmbajtje të organizimit dhe ushtrimit të lojërave të fatit, basteve sportive, ndeshje futbolli.
Pjesë nga mesazhet:
Polici me iniciale E.P: Degjo te faqja qe je menager. Pervec pjeses qe esht 50me 50 ka edhe % per lijen dhe 20 % per fitimet
Shtetasi me iniciale I.T: Mu do me japesh 405 tja coj atij 200 time mbaje se esht e jotja se tpata marr 200 per kushon. Jane 932 gjithsej
Polici me iniciale E.P: 466 i do ai djali
Shtetasi me iniciale I.T: Ok
Polici me iniciale E.P: Un e ti kemi nga 233
Shtetasi me iniciale I.T: He mo vlla a fole per lekt
Polici me iniciale E.P: Po fola pra do I sjelli neser Po mire SE Po ashtu ti Jap une mo’s e vrit mendjen
Shtetasi me iniciale I.T: Esht blloku linku i faqes
Polici me iniciale E.P: Po te hap nje tjetër









