Në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, ku u diskutua ankimimi i deputetëve të opozitës për përjashtimin e tyre nga seancat parlamentare, kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, ka bërë akuza të ashpra ndaj opozitës, duke i vënë në dyshim veprimet e tyre gjatë seancës së 18 dhjetorit.
Sipas Ballës, deputetët e opozitës kanë përdorur lëndë tymuese, çka është në shkelje të Ligjit nr. 9126 të vitit 2003 për përdorimin e lëndëve piroteknike në Shqipëri.
Balla i ka kujtuar deputetëve të opozitës se përdorimi i mjeteve të tilla është i rregulluar me ligj dhe se për këtë ka pasur rregulla të qarta që duhet respektuar. Ai gjithashtu ka kërkuar që ata të reflektojnë për sjelljen e tyre në Kuvend dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e kryera.
Përsa i përket kërkesës së deputetit Belind Këlliçi, i cili kërkoi zhvillimin e mbledhjes së Byrosë me dyer të hapura dhe praninë e mediave, Balla ka theksuar se ky është një praktike që nuk është ndjekur asnjëherë për mbledhjet e këtij organi.
Ai ka sqaruar se mbledhjet e Byrosë janë gjithmonë të mbyllura dhe se këto vendime janë të miratuara për të ruajtur rendin dhe sekretin e punës së Kuvendit.
“Unë nuk mbaj mend që ndonjëherë të ketë pasur mbledhje të Byrosë me media. Këto mbledhje janë të mbyllura dhe ky është një standard që është ndjekur gjithmonë,” tha Balla, duke i bërë thirrje opozitës të reflektojë për mënyrën se si po e ushtrojnë funksionin e tyre parlamentar.









