-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Shqiprim Pula: Paneli për Gazën, përplasja SHBA-Izrael

Kryesoret

Përplasja e hapur mes kryeministrit Izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit Amerikan Donald Trump mbi përbërjen e panelit ndërkombëtar mbikëqyrës për Gazën përbën një zhvillim të rëndësishëm politik që reflekton ndryshime më të thella në mënyrën se si Amerika po menaxhon konfliktet globale dhe aleancat e saj. Këto zhvillime, ndonëse gjeografikisht të largëta, kanë domethënie të qartë edhe për hapësira të tjera gjeografike.

▪️Primati Amerikan mbi aleancat tradicionale

Reagimi i ashpër i zyrtarëve amerikanë ndaj kundërshtimeve të Netanyahut tregon një qasje të re (ose të rikthyer) të Uashingtonit: Amerika është e gatshme të veprojë në mënyrë unilaterale edhe kur një aleat kyç, si Izraeli, shpreh mospajtim. Kjo nënvizon faktin se marrëdhëniet me ShBA-në nuk bazohen vetëm në afërsi politike apo emocionale, por mbi përputhjen e interesave strategjike.

Pra, Uashingtoni nuk heziton të imponojë agjendën e vet edhe mbi partnerë shumë më të fuqishëm.

▪️Rritja e rolit të Turqisë dhe aktorëve jo-perëndimor

Përfshirja e Turqisë dhe Katarit në bordin ekzekutiv për Gazën, pavarësisht kundërshtimeve Izraelite, sinjalizon rritjen e rolit të aktorëve jo-perëndimorë në arkitekturën e re të paqes dhe menaxhimit të krizave. Kjo tregon se Amerika po ndërton koalicione fleksibile, ku efektiviteti politik dhe ndikimi rajonal peshojnë më shumë sesa përputhja ideologjike.

▪️Modelet e administrimit ndërkombëtar

Struktura e krijuar për Gazën – me një Bord Paqeje, një bord ekzekutiv me fuqi reale dhe një organ lokal administrativ – është një model i qartë administrimi i ofruar për vende me sovranitet të pazgjidhur dhe post-konflikti.

▪️Ndërlidhja e paqes me kapitalin dhe rindërtimin

Përfshirja e figurave të fuqishme nga sektori financiar dhe biznesor global në panelin për Gazën tregon se paqja dhe stabiliteti po konceptohen gjithnjë e më shumë si parakushte për investime të mëdha ndërkombëtare. Ky dimension është me interes në projekte infrastrukturore, energjetike dhe teknologjike.

▪️Kriza diplomatike ShBA–Izrael rreth Gazës nuk është thjesht një episod bilateral, por një tregues i një rendi ndërkombëtar më pragmatik, më fleksibil dhe më të udhëhequr nga interesat. Kjo situatë, për Kosovën, do të nënkuptonte nevojën për diplomaci proaktive, harmonizim të vazhdueshëm me Uashingtonin dhe shfrytëzim inteligjent të rolit të aleatëve. Me këtë realitet, aftësia për t’u pozicionuar si partner i besueshëm strategjik është po aq e rëndësishme sa vetë mbështetja formale ndërkombëtare.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit