Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një mesazh urimi për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas ftesës që ajo ka marrë për t’u bashkuar me Bordin e Paqes, një nismë e iniciuar nga presidenti i SHBA, Donald Trump.
Rama e cilëson këtë ngjarje si një gjest të rëndësishëm që thellon marrëdhëniet mes Amerikës dhe popullit shqiptar, duke e konsideruar gjithashtu si një shenjë të forcimit të sigurisë dhe përkatësisë së Kosovës në hapësirën e interesit amerikan.
Postimi i plotë:
Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë.
Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht.









