Në seancën e sotme të Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ngriti disa pyetje të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama për mungesën e tij në Forumin Ekonomik të Davos dhe përfaqësimin e Shqipërisë në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.
Bardhi theksoi se Shqipëria mund të kishte qenë e përfaqësuar më mirë, duke e cilësuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si figurën më të denjë për të përfaqësuar vendin.
“Unë i kam bërë një pyetje Kryeministrit dhe nuk mora përgjigje. Pse Shqipëria nuk po përfaqësohet në Davos? Takimi privat për investime amerikane ka qenë dje, dhe pavarësisht se po na gënjen, ai zotëron një avion privat dhe mund të shkonte në Davos. Ai kishte mundësi ta bënte këtë,” tha Bardhi.
Ai gjithashtu shtoi se, nëse ftesa për të marrë pjesë në këtë forum kishte qenë personale për Ramën, nuk kishte pse ai të kërkonte që të shkruhej pjesëmarrja e tij në projektligj. “Nëse ftesa ishte personale, pse e kërkove që të shkruhej në projektligj pjesëmarrja jote? Për më tepër, e vetmja që na përfaqësoi më mirë ishte Vjosa Osmani,” theksoi Bardhi.









