Ambasada e Gjermanisë ka zbardhur diskutimet e ministrit gjerman për Evropën Gunther Krichbaum gjatë takimeve që ai mbajti me kryeministrin Edi Rama, kreun e SPAK Klodian Braho, dhe zyrtarë të tjerë nga maxhoranca dhe opozita.
Krahas kryeministrit, ai u takua edhe me ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, zv. ministren e Jashtme Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, kreun e grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi si dhe me drejtuesin e SPAK Klodian Braho.
Në fokus të bisedimeve ishte procesi i anëtarësimit të vendit në BE, fuqizimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
Gjatë diskutimeve, ai theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar, duke shtuar se është e nevojshme që të zbatohen reformat e kërkuara, sidomos ato që lidhen me krimin dhe korrupsionin.
Zyrtari kërkoi hapa të guximshëm në realizimin e reformave, si edhe bashkëpunim më konstruktiv mes palëve politike.
“Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur në drejtim të BE-së duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst në mënyrë të vendosur reformat e radhës, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, dhe luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për këtë qëllim lipset vijimi i guximshëm i rrugës së reformave, si dhe përfshirja, por edhe bashkëveprimi konstruktiv i të gjithë aktorëve dhe institucioneve në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese.“, tha zyrtari gjerman.
Postimi i ambasades gjermane:
Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Gunther Krichbaum zhvilloi biseda politike sot në Tiranë. Ai u takua me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, zv.Ministren e Jashtme Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi si dhe me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme SPAK Klodian Braho. Në fokus të bisedave të tij ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE si dhe fuqizimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në mbyllje të bisedave Ministri i Shtetit Krichbaum u shpreh:
“Për shkak se ne duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian jemi njëkohësisht mik, mbështetës dhe kritik në rrugën e saj drejt BE-së. Ne shohim potencialin tejet të madh dhe përpjekjet e Shqipërisë për reforma, por edhe sfidat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit në BE. Edhe për këtë arsye ishte e rëndësishme për mua të zhvilloja biseda të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare, parlamentin dhe drejtësinë.
Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur në drejtim të BE-së duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst në mënyrë të vendosur reformat e radhës, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, dhe luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Për këtë qëllim lipset vijimi i guximshëm i rrugës së reformave, si dhe përfshirja, por edhe bashkëveprimi konstruktiv i të gjithë aktorëve dhe institucioneve në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese.”









