-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

E dënuar në Greqi, Gjoka-KLGJ: Nuk kam qenë në dijeni me vendimin, asnjë vlerë juridike në Shqipëri

Kryesoret

Gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka ka qenë target i sulmeve dhe akuzave nga politika, më konkretisht nga opozita, prej 3 vitesh, duke e lidhur emrin e saj me një dënim nga drejtësia greke që daton 2 dekada më parë.

Këtë javë, Prokuroria e Përgjithshme, pas një verifikimi që zgjati 2 vite, arriti në konkluzionin se gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka ka qenë e dënuar në Greqi, për akuzën e falsifikimit të vizës, duke theksuar gjithashtu se “dënimi është i vërtetë dhe autentik”. Në formularin e vetëdeklarimit në vitin 2016, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, gjyqtarja Gjoka nuk e ka deklaruar dënimin. Pyetjes në formular nëse ka qenë e dënuar ndonjëherë me vendim të formës së prerë, Irena Gjoka i është përgjigjur “JO” dhe e njëjta përgjigje rezulton edhe për pyetjen nëse ndaj saj është marrë ndonjëherë ndonjë dënim gjykate, jo i formës së prerë.

Por cilat janë argumentet mbrojtëse të gjyqtares lidhur me dënimin nga drejtësia greke?

Panorama Online ka siguruar dëshminë e gjyqtares së GJKKO dërguar në formë shkresore Këshillit të Lartë Gjyqësor. Deklarimet e saj janë pritur me interes nisur nga fakti i rëndësisë së institucionit që ajo përfaqëson si pjesë e drejtësisë së re, por edhe kalimit të procesit të Vettingut me sukses në të tre komponentët e tij. Vettingu mbështetet, ndër të tjera, edhe në vetëdeklarimin e subjektit, si një element thelbësor për vlerësimin e përmbushjes së kritereve të konfirmimit në detyrë nga anëtarët e sistemit të drejtësisë. Dhe pikërisht, vetëdeklarimi i rremë përbën shkelje ligjore dhe sjell pasoja të drejtpërdrejta për anëtarët e sistemit të drejtësisë në kuadër të procesit të Vettingut.

Gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka ka rrëfyer në mënyrë të detajuar pikënisjen e “përplasjes” së saj me autoritetet greke, fundvitin e 2002-shit, kur po udhëtonte drejt shtetit fqinj me vizë të marrë pranë konsullatës greke në Shqipëri, por që policia kufitare i kishte ndaluar hyrjen. Vendimi refuzues i autoriteteve greke është përsëritur edhe në datën 13 shkurt 2003. Ndalimi i hyrjes në territorin grek, për gjyqtaren Gjoka ka qenë i padrejtë.

Sa i takon dënimit nga ana e drejtësisë greke, me burgim tre muaj, gjobë 1500 euro, si dhe me shpenzimet gjyqësore prej 73 Euro, teksa dënimi me burg është konvertuar me pagesë financiare 4.4 euro për çdo dite burg, vendimi i cili nuk u zbatua asnjëherë, Irena Gjoka ka deklaruar para KLGJ se nuk është njoftuar për zhvillimin e proceseve gjyqësore ndaj saj dhe nuk ka patur informacion.

“Personalisht nuk jam njoftuar, as zyrtarisht dhe as faktikisht për procesin gjyqësor administrativ apo ndonjë proces tjetër të zhvilluar ndaj meje, në gjykatat Greke”, ka deklaruar gjyqtarja, duke vijuar: “Pasi në media janë publikuar vendime administrative apo të natyrave të tjera në emrin tim, duke mos qenë në dijeni të asnjë vendimi, kam autorizuar përfaqësues me prokurë të posaçme për të marrë informacion, për çka publikohej”.

Gjithashtu, ajo ka pretenduar se dënimi nuk është regjistruar kurrë në regjistrin penal dhe për rrjedhojë, dënimi konsiderohet sikur të mos ketë ekzistuar kurrë.

“Vendimi i datës 07.06.2005, i Gjykatës së shkallës së parë me tre anëtare për kundravajtje të Janinës nuk më është njoftuar asnjëherë dhe ky vendim nuk ka marrë formë të prerë. Sipas nenit 473 të Kodit të Procedurës Penale Greke afati për paraqitjen e apelit për të pandehurit me vendbanim të panjohur është 30 ditë nga dita e njoftimit të vendimit (vendimi i cili nuk është njoftuar asnjëherë). Përpara se të përfundonte afati i apelimit, më datë 17.06.2005 është miratuar ligji nr.3346/2005 “Përshpejtimi i procedurës para gjykatave civile dhe penale dhe dispozita të tjera”. Sipas edhe interpretimit të kryer nga GJEDNJ , në çështjen Panou kundër Greqisë (nr. 44058/05, 8 janar 2009), vendimi i dënimit i arkivuar sipas këtij ligji konsiderohet i paqenë, me kusht që, për një periudhë 18-mujore nga publikimi i ligjit (17 qershor 2005), të mos kryhet një vepër tjetër vepër penale me dashje, për të cilën do të dënohej përfundimisht me burgim më të gjatë se gjashtë muaj. Sipas edhe interpretimit të GJEDNJ-së edhe pse humbiste e drejta për të ushtruar apelim, efektet e ligjit ishin baras me shfajësim. Ky ishte edhe qëllimi i ligjit, i cili synonte përshpejtimin e drejtësisë penale, ndër të tjera, përmes uljes së numrit të apelimeve për çështje të vogla. Kështu në zbatim të këtij ligji, prokurori ka vendosur arkivimin e vendimit të marrë ndaj meje më datë 07.06.2005”, ka thënë gjyqtarja, Irena Gjoka.

Anëtarja e GJKKO, më tej ka shtuar se “lidhur me vendimin e sipërpërmendur, shpreh rezervat e mia sa i takon ligjshmërisë në thelb të këtij vendimi, por edhe ligjshmërisë së aspekteve procedurale të marrjes së tij”.

Dëshmia e Irena Gjokës, drejtuar KLGJ-së:

“Më datë 24 dhjetor 2002, unë Irena Gjoka jam paraqitur në pikën e kalimit kufitar Greqi, Kakavijë, ku policia kufitare më ka ndaluar hyrjen në shtetin grek (pas një debati që kam bërë me punonjësin e policisë së kufirit). Kam vlerësuar se autoritetet greke nuk kanë pasur asnjë arsye të ndalojnë hyrjen time në Greqi dhe për këtë arsye jam pajisur me një vize tjetër, pranë konsullatës greke në Shqipëri. Në vijim, më datë 13 shkurt 2003, jam paraqitur sërish në kufi, ku përsëri më është ndaluar hyrja, në mënyrë të padrejtë.

Meqenëse kam qenë e bindur në paligjshmërinë e masës administrative të ndërmarrë ndaj meje, refuzimin e hyrjes në shtetin grek, në kushtet kur nuk kisha të drejtë hyrje në këtë shtet, në datën 31.03.2003, kam autorizuar shtetasin Andon Konomi/Ikonomou (ky shtetas nuk ka pasur cilësinë e avokatit) për të kundërshtuar për llogari timen, masën administrative të marrë në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare nga autoritetet greke, pranë Ministrisë së Rendit Publik Athinë apo çdo institucioni tjetër, për të kryer çdo lloj veprimi që nuk është i ndaluar me ligj, lidhur specifikisht me masën e ndalimit të hyrjes të dhënë ndaj meje.

Pavarësisht këtij fakti, personalisht nuk jam njoftuar, as zyrtarisht dhe as faktikisht për procesin gjyqësor administrativ apo ndonjë proces tjetër të zhvilluar ndaj meje, në gjykatat Greke. Pasi në media janë publikuar vendime administrative apo të natyrave të tjera në emrin tim, duke mos qenë në dijeni të asnjë vendimi, kam autorizuar përfaqësues me prokurë të posaçme për të marrë informacion, për çka publikohej.

Nga aktet që më janë dorëzuar nga përfaqësuesi im si dhe aktet e përcjella nga autoritetet greke me anë të letërporosisë, nëpërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, jam informuar për herë të parë për vendimin e marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë me nr.1447/2005, datë 07.06.2005, sipas së cilit rezultoj e dënuar në mungesë nga kjo gjykatë në datë 07.06.2005, pa praninë e një mbrojtësi, pa u njoftuar për procesin ndaj meje, si gjatë hetimit dhe gjykimit të çështjes, për veprën e parashikuar në paragrafin 7 të nenit 54 të ligjit 2910/2001 me titull “Hyrja dhe qëndrimi i të huajve në Territorin Grek”, me tre muaj burgim dhe 1500 Euro Gjobë. Dënimi me burgim është konvertuar me gjobë në masën 4,4 Euro në ditë.

Vendimi i datës 07.06.2005, i Gjykatës së shkallës së parë me tre anëtare për kundravajtje të Janinës nuk më është njoftuar asnjëherë dhe ky vendim nuk ka marrë formë të prerë. Sipas nenit 473 të Kodit të Procedurës Penale Greke afati për paraqitjen e apelit për të pandehurit me vendbanim të panjohur është 30 ditë nga dita e njoftimit të vendimit (vendimi i cili nuk është njoftuar asnjëherë). Përpara se të përfundonte afati i apelimit, më datë 17.06.2005 është miratuar ligji nr.3346/2005 “Përshpejtimi i procedurës para gjykatave civile dhe penale dhe dispozita të tjera”. Sipas edhe interpretimit të kryer nga GJEDNJ , në çështjen Panou kundër Greqisë (nr. 44058/05, 8 janar 2009), vendimi i dënimit i arkivuar sipas këtij ligji konsiderohet i paqenë, me kusht që, për një periudhë 18-mujore nga publikimi i ligjit (17 qershor 2005), të mos kryhet një vepër tjetër vepër penale me dashje, për të cilën do të dënohej përfundimisht me burgim më të gjatë se gjashtë muaj. Sipas edhe interpretimit të GJEDNJ-së edhe pse humbiste e drejta për të ushtruar apelim, efektet e ligjit ishin baras me shfajësim. Ky ishte edhe qëllimi i ligjit, i cili synonte përshpejtimin e drejtësisë penale, ndër të tjera, përmes uljes së numrit të apelimeve për çështje të vogla. Kështu në zbatim të këtij ligji, prokurori ka vendosur arkivimin e vendimit të marrë ndaj meje më datë 07.06.2005.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit