-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gjermani-Itali: Merz shpreson tek pragmatizmi i Melonit

Kryesoret

Të premten (23.01.2026) zhvillohen në Romë konsultimet qeveritare Gjermani-Itali. Kancelari Friedrich Merz qendron në Romë i shoqëruar nga disa ministra. Raportet me SHBA-në pas kërcënimeve të Donald Trump do të jetë gjithashtu tenë gjatë konsultimeve midis dy qeverive.

Mosmarrëveshja për Groenlandën duket se është zbutur, të paktën për momentin. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk do ta pushtojë me forcë ishullin, i cili i përket Danimarkës, dhe as nuk do të vendosë më tarifa doganore ndëshkuese për vendet që kundërshtojnë pretendimin e tij ndaj Groenlandës për SHBA-në.Të paktën, kjo u kuptua nga mesazhet e tij të mërkurën në mbrëmje (21.01.2026) në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Por vendet evropiane të NATO-s janë dyshuese për shkak se Trump shpesh ndryshon qëndrimet si dhe kërcënon. Përshkallëzimi i fundit i jep vizitës së kancelarit Friedrich Merz në Itali një rëndësi të veçantë në dallim nga më parë.

Për politikanët gjermanë, marrëdhëniet me Italinë kanë qenë prej kohësh nën hijen e marrëdhënieve me Francën, partnerin e tyre zyrtarisht më të ngushtë. Kjo ka pasur edhe arsye politike vitet e fundit: Kur më 2022 Giorgia Meloni u bë kryeministre e koalicionit të djathtë në Romë, ajo shihej si ekstremistja e djathtë dhe nuk preferohej prej qeverisë së atëhershme në Berlin që përbëhej prej socialdemokratëve, ekologjistëve dhe liberalëve.

Sepse pikërisht gruaja e parë në krye të një qeverie italiane është kryetare e partisë Fratelli d’Italia. Fratellit konsiderohen herë si ekstremistë të djathtë, herë si post-fashistë ose së paku si nacionalistë të djathtë. Partia konsiderohet – ose konsiderohej – në klasën politike të Gjermanisë pothuajse si AfD në Gjermani: Një parti me të cilën nuk duan të kenë të bëjnë shumica e partive të qendrës.

Meloni mban kontakte të mira me Trump dhe me BE
Giorgia Meloni, që dikur admironte diktatorin Benito Mussolini, fillimisht e konfirmoi këtë përshtypje me sloganin e saj: “Zoti, familja, atdheu”. Ajo distancohej nga BE-ja, theksonte në vend të saj elementin kombëtar dhe kërkonte afërsi me presidentin e SHBA-së Donald Trump. Fotografitë e të dyve, se si ata qeshin me të madhe dhe me sa duket kuptohen shumë mirë me njeri-tjetrin, e kanë forcuar pozicionin e Melonit në politikën e jashtme në BE.

Edhe kryeministri hungarez Viktor Orban, ka një qendrim ndryshe kundrejt BE-së dhe është i preferuari i Trumpit. Por ka dallime mes Orbanit dhe Melonit. Ndryshe nga Orbani, Meloni mbështet luftën në Ukrainë kundër Rusisë dhe është shprehur madje që Ukraina të bëhej vend kandidat për antarësim në BE. Edhe pesha ekonomike e Italisë – si ekonomia e tretë për nga fuqia në eurozonë pas Gjermanisë dhe Francës – qeveritë e tjera të BE-së nuk mund ta anashkalojnë atë.

Meloni, e cila dikur donte ta nxirrte Italinë nga BE-ja, sot në nivel europian po tregohet gjithnje e më pragmatike dhe konstruktive. Këtë e ka kuptuar edhe qeveria në Berlin e drejtuar tani nga konservatori Friedrich Merz. Ishte pikërisht Meloni së fundi që kontribuoi për krijimin e shumicës së nevojshme për votimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet BE-së dhe shteteve amerikano-jugore Mercosur. Franca, partnerja më e ngushtë e Gjermanisë, ishte kundër dhe vota e saj nuk pati ndikim.

Merz dhe Meloni përpiqen të depërshkallëzojnë
Giorgia Meloni gjatë viteve në qeveri ka krijuar një pozicion të fortë, që vlerësohet si nga Donald Trump ashtu edhe nga Friedrich Merz dhe të tjerë kryeministra europianë.Në pranverën e vitit të kaluar ajo u përpoq që të ndërmjetësojë në grindjen për doganat ndërmjet SHBA-së dhe BE-së. Rezervat, që ekzistonin fillimisht kundër prejardhjes së saj politike, duket se janë harruar ose kanë dalë në sfond, sidomos tani, kur në grindjen me Trump bëhet fjalë për çështje shumë të rëndësishme.

Trump kërcënoi me dogana ndëshkuese për të gjithë, që janë kundër dorëzimit të ishullit të Groenlandës që i përket Danimarkës, ndonëse ai e tërhoqi atë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Në kohën që kërcënimi ishte real dhe vendet e tjera europiane, edhe politikanë gjermanë, synonin të diskutonin për masa ndëshkuese reciproke, si Friedrich Merz edhe Giorgia Meloni paralajmëruan për të mos e përshkallëzuar grindjen me Trump.

Të dy kishin parasysh se nga një luftë tregtare mund të ishin të mëdha dëmet për ekonomitë e dy vendeve gjithësesi të dobësuara dhe të zhytura në borxhe. Shqetësimi më i madh i tyre është humbja e SHBA-së si fuqi mbrojtëse.

Me sa duket ndëmjet Trumpit dhe europianëve ka një “problem komunikimi”, tha Meloni para pak ditësh. Ky ishte një formulim mjaft i kujdesshëm duke pasur parasysh, që bëhej fjalë për krizën më të madhe në raportet transatlantike që pas fundit të luftës. Por është i dukshëm qëllimi për një mirëkuptim. Tani është e nevojshme, thotë Meloni, “të rifillojë dialogu dhe të shmanget përshkallëzimi”. Ngjashëm shprehet vazhdimisht edhe Merz.

Nga kërcënimi i Trumpit me doganat prekej Gjermania, po jo Italia
Në klimën e tensionuar Italia ofroi të ndërmjetësojë. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani tha: “Unë besoj, se Italia nisur nga natyra e saj, aftësia e saj ndërmjetësuese dhe aftësia për të folur me të gjithë, mund të luajë një rol pozitiv, për të arritur në marrëveshje.” Kryeministrja Meloni për këtë “është në dialog me SHBA-në, por edhe me europianët”.

Një ofertë, që e përshëndeti zëdhënësi qeveritar gjerman Stefan Kornelius: “Unë besoj, që për momentin shumë shtete janë të azhornuara në këtë debat. Kryeministrja italiane ka telefonuar edhe me presidentin e SHBA-së. Kjo ndihmon shumë.”

Italia ndryshe nga Gjermania dhe vende të tjera të NATO-s nuk dërgoi ushtarë në mision verifikimi në Groenlandë. Për këtë arsye Italia nuk u prek nga kërcënimet me dogana të Trumpit. Edhe pse Trump deklaroi, se nuk do të vendosë dogana ndëshkuese, ai paralajmëroi qeveritë në rast se pengojnë SHBA-në në rrugën e saj: “Ju mund të thoni po, dhe ne do ta vlerësojmë shumë këtë. Ose ju mund të thoni jo, dhe ne do ta mbajmë mend këtë.”

Vlerësime nga Parlamenti i BE-së
Pavarësisht nismave për zgjidhje për krizën aktuale me Trumpin, duket se qeveria në Berlin dhe në Romë kanë shumë pika që i bashkojnë. Të dyja qeveritë duan të angazhohen në BE për më shumë konkurrencë dhe më pak burokraci. Në një dokument pozicionimi ato tërheqin vëmendjen, se Bashkimi Europian kërcënohet nga dështimi po të krahasohet me SHBA-në dhe Kinën, kur është fjala për të vepruar shpejt.

Manfred Weber, kryetar i grupit parlamentar të partive popullore konservatore europiane, u bën thirrje të dyja qeverive të zgjerojnë marrëdhëniet midis dy vendeve sipas modelit të miqësisë gjermano-franceze. Në gazetën Funke-Mediengruppe Weber tha: “Nga një bashkëpunim më ngushtë ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë duke filluar që nga temat e sigurisë dhe tregtisë e deri tek luftimi i migracionit ilegal si dhe forcimi në të ardhmen i aftësisë së konkurrencës përfiton edhe Europa.”

Të tilla tone nga BE-ja si dhe nga Berlini ishin të paimagjinueshme në fillimet e mandatit të Melonit. “Postfashistja”, sikurse e quanin shpesh dikur, sot është bërë një politikane pragmatike e preferuar./ DW

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit