Një aksion i forcave të rendit në Korçë ka përfunduar me arrestimin e një personi dhe procedimin penal të më shumë se 15 të tjerëve, pas hetimeve për aktivitet të paligjshëm në një lokal të përshtatur për lojëra të fatit.
Aksioni, i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë dhe Komisariati i Korçës, ka çuar në zbulimin e një sërë shkeljesh, përfshirë organizimin e lojërave të fatit dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Në kontrollin që u krye në një lokal në fshatin Bulgarec, policia ka sekuestruar dhjetëra doza kokaine, sasi parash, dhjetëra telefona celularë dhe një automjet. Pronari i lokalit, 57-vjeçari A. R., është arrestuar, ndërsa personat e tjerë të përfshirë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Një hetim i veçantë është hapur edhe për një punonjës policie, D. L., i cili u gjet i pranishëm në lokal gjatë aksionit. Ai është proceduar për shpërdorim detyre dhe ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor për veprimet e tij.









