Dita e parë e samitit trepalësh mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara u mbyll me shumë pak detaje konkrete mbi progresin real të negociatave.
Negociatori ukrainas, Rustem Umerov, deklaroi se palët kanë punuar mbi parametrat për të ecur drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Ndërkohë, burime nga Shtëpia e Bardhë e cilësuan takimin si produktive, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se puna po përparon.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha mbrëmë se negociatat janë serioze, por theksoi se dita e sotme pritet të jetë vendimtare. Bisedimet e zhvilluara në Turqi në maj 2025 kishin si qëllim pikërisht krijimin e kushteve për një takim të drejtpërdrejtë mes dy palëve. Ndërkohë, gjatë raundit të zhvilluar në Riad në mars të vitit të kaluar, ndërmjetësuesit amerikanë lëviznin mes delegacioneve, pa i bashkuar ato në të njëjtën tryezë.
Takimet trepalëshe pritet të zgjasin të paktën deri në mbrëmjen e sotme dhe janë paraprirë nga një seri konsultimesh intensive, përfshirë samitin Zelensky-Trump në Davos të enjten, si dhe bisedimet katërorëshe në Moskë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarve amerikanë Steve Witkoff, Jared Kushner dhe Josh Gruenbaum, shkruajnë mediat e huaja.
Një nga pikat më të vështira mbetet kërkesa e Putinit për kontroll të plotë të Donbasit, çka do të nënkuptonte tërheqjen e Ukrainës nga rreth 15-20 për qind e territorit të rajonit që ajo ende kontrollon. Edhe vetë Zelensky pranoi se “çështja territoriale” është në qendër të negociatave në këtë fazë.
“Forcat e armatosura ukrainase duhet të largohen nga Donbasi. Ky është një kusht thelbësor, pa të, nuk ka kuptim të flitet për një marrëveshje afatgjatë”, përsëriti Peskov.
Këto deklarata pasqyrojnë vështirësitë reale të procesit. Edhe pse Trump, Zelensky dhe madje edhe Putin pretendojnë se “shumica e çështjeve janë zgjidhur”, pikat kyçe mbeten ende të hapura.
Kjo tregon se, përtej deklaratave formale, të cilat synojnë gjithashtu të zhvendosin përgjegjësinë për çdo dështim te pala tjetër, rruga drejt një marrëveshjeje është ende e vështirë dhe lufta vazhdon me të njëjtin intensitet.
Zelensky, i cili përshëndeti sigurimin nga Trump të një dërgese të re raketash Patriot jetike për mbrojtjen ajrore të Ukrainës është në kontakt të vazhdueshëm me delegacionin e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe. Delegacioni ukrainas drejtohet nga ish-ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, i mbështetur nga shefi i inteligjencës ushtarake Kyrylo Budanov dhe këshilltari ushtarak Andrii Khnatov.
Nga pala ruse, delegacioni kryesohet nga negociatori Kirill Dmitriev, me pjesëmarrjen, mes të tjerëve, të admiralit Igor Kostyukov, kreu i inteligjencës ushtarake.









