Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ekzekutuar një vendim të Gjykatës së Posaçme për tre punonjës të Policisë së Orikumit, të cilët janë vendosur në masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”.
Bëhet fjalë për D.L. (Inspektor Krimesh), A.J. (Shef i Stacionit të Policisë Orikum) dhe A.F. (Specialist i Policimit në Zonë), të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.
Sipas hetimeve, në shtator të vitit të kaluar, punonjësit e policisë kërkuan dhe morën një shumë prej 270,000 lekësh nga një personi, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale. Hetimet u zhvilluan nga AMP dhe SPAK, duke përdorur metoda speciale për të dokumentuar veprimet e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
Pas disa muajsh hetimesh intensive, ku u mbledhën prova ligjore, u arrit arrestimi i të dyshuarve. Aktualisht, hetimet janë ende në vazhdim, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e çdo personi tjetër të përfshirë në këtë skemë korruptive.









