Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes strategjike Shqipëri-Itali, që synon të forcojë bashkëpunimin në sektorë kyç si shëndetësia, energjia, arsimi dhe inovacioni.
“Ky partneritet shënon një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë dhe vjen në një moment vendimtar, teksa jemi më pranë se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian. Marrëveshja ka jo vetëm rëndësi politike, por edhe praktike, pasi na ndihmon të përgatitemi konkretisht për tregun e përbashkët europian. Projektet që do të zhvillohen do të krijojnë vende të reja pune, do të rrisin cilësinë e punësimit dhe do të investojnë në aftësi profesionale në sektorë me vlerë të shtuar si energjia, industria, infrastruktura, mbrojtja, shëndetësia dhe inovacioni.”









