Një këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, ka paralajmëruar se Teherani do të sulmojë Tel Avivin në rast të një goditjeje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.
Ali Shamkhani shkroi në hebraisht në platformën X se ideja e një sulmi të kufizuar është “një iluzion”. “Çdo veprim ushtarak nga Amerika, nga çfarëdo burimi dhe në çfarëdo niveli, do të konsiderohet si fillimi i një lufte. Përgjigjja do të jetë e menjëhershme, e plotë dhe e paprecedentë, dhe do të drejtohet kundër agresorit, në zemër të Tel Avivit dhe ndaj të gjithë mbështetësve të tij”, shkroi ai.
Deklarata vjen në mes të spekulimeve në rritje nëse presidenti amerikan Donald Trump do të ndërmarrë një sulm ndaj Iranit, si përgjigje ndaj shtypjes së përgjakshme të protestave antiqeveritare, gjatë të cilave raportohet se janë vrarë mijëra persona.
Në dhjetor, Shamkhani kishte paralajmëruar sërish në platformën X se “çdo veprim agresiv do të përballet me një kundërpërgjigje të menjëhershme dhe të ashpër, përtej imagjinatës së atyre që e planifikojnë”.
Zyrtarë iranianë kanë deklaruar vazhdimisht se Izraeli do të jetë objektiv i drejtpërdrejtë në rast të një sulmi amerikan ndaj Iranit.









