Bashkimi Evropian ka vendosur të shpallë Korpusin e Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC) të Iranit si “organizatë terroriste”, duke e vendosur në të njëjtën kategori me grupime si Daesh, Hamas, Hezbollah dhe Al-Kaeda.
Ky vendim, i miratuar unanimisht nga 27 shtetet anëtare, erdhi pas shtypjes së dhunshme të protestave në Iran dhe kritika ndaj veprimeve të regjimit iranian.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e quajti këtë vendim një “gabim strategjik”, duke akuzuar Evropën se po ndez tensionet në rajon. Forcat e armatosura iraniane e etiketuan vendimin si “absurd dhe dashakeq”, duke e lidhur atë me ndikimin e SHBA dhe Izraelit.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, nënvizoi se ky veprim synon të trajtojë ata që veprojnë me terror si terroristë, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e mbështeti këtë masë, duke e quajtur të përshtatshëm terminin “terrorist” për regjimin iranian.
/5pyetjet.al









