Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar sërish pasi nga momenti i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallë nuk është marrë asnjë nga masat që kërkuan duke u kërkuar institucioneve ndërhyrje urgjente për realizimin e këtyre masave:
-Vendosja e Policisë së Shtetit në të gjitha gjykatat e vendit, me prezencë të përhershme, personel të trajnuar dhe plan të dedikuar sigurie. Mbështetje buxhetore dhe përmirësim i infrastrukturës së sigurisë. Klasifikim i gjykatave si institucione të rëndësisë së veçantë.
-Rishikim i kuadrit ligjor dhe nënligjor që rregullon sigurinë në gjykata, për të përcaktuar qartë kompetencat, përgjegjësitë dhe burimet financiare ndërinstitucionale. Rishikim i plotë i protokolleve të hyrjes dhe daljes në gjykata, përfshirë procedurat e kontrollit për palët, dëshmitarët dhe të pandehurit.
-Këshilli i Lartë Gjyqësor u bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave që, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Policinë e Shtetit, të hartojnë një Plan Kombëtar për Sigurinë në Gjykata, i cili të përcaktojë përgjegjësitë e secilit institucion, afatet e zbatimit, burimet financiare si dhe mekanizmat e kontrollit dhe raportimit.
-Ky plan duhet të përfundojë brenda një kohë sa më të shkurtër dhe të jetë bazë për ristrukturimin e plotë të sistemit të sigurisë në gjykata. Këshilli i Lartë Gjyqësor mbetet i gatshëm të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet përkatëse dhe të kontribuojë me ekspertizën e tij në hartimin e këtij dokumenti strategjik.









