Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka kritikuar ashpër ndryshimet e fundit në Kodin Penal, duke i cilësuar si një paketë ligjore që favorizon pushtetin dhe dëmton qytetarët e zakonshëm.
Ajo akuzon mazhorancën për miratim të nxituar dhe për standarde të dyfishta në drejtësi.
“Qeveria përdor retorikën e integrimit dhe të sigurisë për të ashpërsuar dënimet për qytetarët, ndërkohë që zyrtarët e korruptuar mbrohen nga ndjekja ligjore. Kodi i Ri Penal parashikon dënime absurde, si deri në një vit burg për parkim të dyfishtë, pa adresuar mungesën e politikave urbane. Ndërkohë, masat për ndërtimet pa leje, zjarrvëniet apo shfrytëzimin e tokave godasin qytetarët, por jo ata që favorizuan këto veprime. Edhe çështja e shpifjes nuk ndryshon standardin: vetëm gazetarët e regjistruar sipas rregullave të kontrolluara nga shteti do përfitojnë, duke krijuar hapësirë për presion politik mbi median. Mesazhi është i qartë: qytetarët ndëshkohen, pushteti mbrohet,” tha Xhixho.









