-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kreshnik Myftari: Si u shkatërrua roli dhe vlera e bashkëpunimit me drejtësinë me ndryshimet e sotme në Kodin Penal

Kryesoret

Sot me ndryshimet në Kodin Penal u shfuqizua pika 7 e nenit 28, e cila kishte në thelb përfitimin e anëtarit të grupit të strukturuar kriminal, organizatës kriminale ose terroriste në rast bashkëpunimi ose vënie në dispozicion të drejtësinë në kuptim të përjashtimit nga përgjegjësia penale ose ulja e dënimit.

Shfuqizimi në fshehtësi të plotë, pa asnjë lloj sqarimi mbi arsyet dhe dobishmërinë juridike që do të sjellë ky shfuqizim ose thjeshtësim të  praktikës të aplikimit, po informoj/sqaroj lexuesit se konflikti juridik material – procedurial në praktikë do të jetë i jashtëzakonshëm.

Ngërçi, bllokimi dhe zmbrapsja e kujtdo që kishte/ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë do e fusë atë në një rreth vicioz për shkak të shkatërrimit të formulës së marrjes së statusit të bashkëpunëtorit, vlerës së thënieve dhe të dhënave të cilat i bëhen të ditura organit të akuzës për lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit dhe shumë aspekte të tjera juridike të cilat nuk po i përmend sot.

Ky shfuqizim nuk është thjesht një ndryshim ligjor, por një goditje direkte ndaj vetë frymës së bashkëpunimit me drejtësinë, një mesazh subluminal, i cili i thotë çdo individi: “ – Mos fol, mos bashkëpuno, mos guxo, mos trego.” Pa këtë dispozitë bashkëpunëtori i drejtësisë mbetet pa një status real, pa garanci ligjore dhe pa siguri për fatin e tij juridik.

Çdo e dhënë e vënë në dispozicion të organit procedues humbet vlerën ligjore në kuptim të vërtetësisë dhe përdorshmërisë. E gjthë kjo situatë nuk duhet të shihet si një gabim teknik, por si vullnet politik për të dobësuar, minimizuar instrumentet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ky do të duhej të ishte diskutimi sot në Kuvend, media dhe opinion publik, sidomos nga juristë karriere, profesionistë dhe jo a duhet të  “dekriminalizohet fyerja dhe shpifja”, të cilat për hir të së vërtetës janë dekriminalizuar që prej vitit 2012, kur iu ndryshua dispozita në masën e dënimit nga gjobë deri në një vit burgim në vetëm dënim me gjobë.

Por përse ky shfuqizim në këtë moment delikat juridik për vendin? Ndërkohë kur të gjithë vendet me përvojnë sa i përket fenomenit mafie/organizata kriminale ose grupe të strukturuara, përveç rregullimit parashikimit në ligjin material dhe procedurial, ose ndryshe, në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, e rregullojnë këtë instrument juridik, pra bashkëpunëtorin e drejtësisë, edhe me ligje të veçantë, ne shfuqizojmë edhe atë që kemi pa asnjë arsye apo studim?

Për të gjithë juristët të cilët mendojnë se parashikimi procedurial sipas nenit 37/b është mëse i mjaftueshëm, po bëj vetëm disa pyetje të shkurtra dhe të thjeshta.

Si do të jepet ose aplikohet marrëveshja/statusi për anëtarë të cilët nuk kanë veprimtari ose vepra të mirëfillta si anëtar për shkak se janë anëtarësuar rishtazi?! Si do të gjenden bashkëpunëtorët në ato grupe kriminale me tipare familjare?!

Si do të ofrohet marrëveshja e bashkëpunimit kur anëtari është paraqitur me iniciativën e tij pa pasur ende statusin e të pandehurit në tre nocionet e tij (i atribuohet, dyshohet, i pandehur)?!

Si do të provohet ekzistenca dhe veprimtaria e grupeve të strukturuara kriminale në administratën publike për veprat më aktuale të shkeljes së barazisë në tendera, korrupsionit aktiv/pasiv dhe ndikimit të paligjshëm?

Shfuqizimi i parashikimit ligjor të bashkëpunëtorit të drejtësisë nga një ligj si Kodi Penal, duke e lënë të pandryshuar në një ligj tjetër siç është Kodi i Procedurës Penale, do ta fuqizonte apo dobësonte vlerën dhe rëndësinë e këtij instrumenti të drejtësisë?

Do të doja shumë që ky debat të mbushte studiot dhe shkrimet sot, por fatkeqësisht fyerja dhe shpifja morën të gjithë vëmendjen.

Prof. Asoc. Dr. Kreshnik Myftari – Pedagog i të Drejtës Penale pranë Departamenit të së Drejtës Penale, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit