Emisioni “Në Kohë Reale”, i moderuar nga gazetari Flori Gjini, ka risjell në vëmendje rastin e vajzës Bleona Mata, e cila u zhduk 16 vite më parë në Kukës.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin, mamaja e saj, Bukurie Mata, ndau detaje nga një dëshmi e re e dhënë para pak ditësh nga një i moshuar, i cili ka rrëfyer informacione që lidhen me rrethanat e rrëmbimit, lëvizje të dyshimta dhe elementë që mund të hapin pista të reja hetimi për fatin e Bleonës.
Bukuria Mata u shpreh se ky rrëfim i ka ringjallur shpresat, por njëkohësisht ka ngritur shqetësime për mungesën e veprimeve nga organet e drejtësisë.
“Nga ky lajm mu ngjallën shumë shpresa, por policia nuk ka hetuar dhe nuk janë marrë në pyetje dëshmitarët. Nuk është verifikuar ajo shtëpi që është dhënë si referencë për vajzën time. Unë nuk e di çfarë të them përveçse organet kompetente ta zbardhin këtë çështje,” tha ajo.
Në rrëfimin e saj, Bukuria tregoi se dhimbja e 15 viteve pa drejtësi po e vret çdo ditë dhe akuzoi hallat e vajzës për përfshirje në rrëmbim.
Ajo falënderoi publikisht personin që bëri telefonatën në një emision televiziv, duke thënë se, “Kjo dhimbje po më djeg e përvëlon. Por shpresat e mia ringjallin dritë që një ditë do e përqafoj me mall. Mendoj që njëherë do t’ia dëgjoj zërin. Ai dinte shumë gjëra ai zotëria, e falënderoj. Kur ka qenë tek ‘Njerëzit e Humbur’, gjithë fshatarët e mbajtën të fshehtë këtë para policisë se kishin frikë.”
Sipas dëshmisë së dhënë nga i moshuari,- tha Bukuria, Bleona është parë fillimisht në Llakatund, më pas e dërguar në Picar të Vlorës, dhe më vonë e lëvizur drejt Gjermanisë apo Greqisë.
“Atë ditë është parë një makinë me targa Vlorë. Ai zotëria ka thënë: jam moshë e vjetër, e kam ditur këtë informacion por nuk më ka lënë familja. Nuk dua të vdes me këtë brengë,” rrëfeu Bukuria, duke përcjellë fjalët e dëshmitarit.
Ajo shtoi se sipas telefonatës, vajza ka qarë shumë dhe nuk është bindur, ndërsa më pas është dërguar tek gra që nuk kishin fëmijë, duke ngritur dyshime se mund të ishte planifikuar për birësim.
“Nuk e di a është fëmijë i lirë dhe a i lë kush telefon në dorë. Apo i kanë thënë që i kanë vdekur prindërit apo mund ta kenë gënjyer për situata të tjera,” tha Bukuria.
Nëna e Bleonës apeloi që policia të reagojë dhe të marrë në pyetje personin që ka dhënë këtë dëshmi, si dhe të verifikojë familjen që sipas rrëfimit ka mbajtur vajzën për tre muaj. “Besimi është tek ky rrëfim, por duhet hetuar si rast dhe të verifikohen gjithçka,” u shpreh ajo.
Bukuria Mata tregoi edhe mesazhin që i ka dërguar personit që bëri këtë telefonatë dhe dha detaje.
“Unë i kam shkruar, të falënderoj në emër të gjyshit dhe të babait që tregove këtë rast. Është një dëshmi kaq humane. Të lutem, jam mamaja e Bleonës dhe dua të falënderoj për informacionin që ke dhënë.” Megjithatë, sipas saj, ai nuk e ka hapur më telefonin, pasi nuk ka dashur që rrëfimi të bëhej publik.
Bukuria i bëri thirrje dëshmitarit që ta takojë privatisht “në emër të një nëne”, duke theksuar se familja po përjeton prej 16 vitesh një dhimbje të madhe dhe se drejtësia duhet të veprojë për të zbardhur fatin e vajzës së saj. /rtsh.al/









