Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se i kishte dhënë Iranit një afat për të arritur një marrëveshje, ndërsa Uashingtoni zhvendosi asete të rëndësishme ushtarake në Lindjen e Mesme përpara një sulmi të mundshëm ndaj Republikës Islamike.
I pyetur nga gazetarët në Zyrën Ovale nëse kishte vendosur një afat për Iranin përpara një sulmi të mundshëm, Trump konfirmoi se ia kishte komunikuar një të tillë drejtpërdrejt Teheranit, duke shtuar: “Vetëm ata e dinë me siguri”.
Ai nuk e zbuloi kohën e këtij afati.
I pyetur nëse kishte një afat kohor se kur forcat amerikane në rajon mund të tërhiqeshin, Trump nuk dha asnjë përgjigje.
“Ata duhet të qëndrojnë diku. Mund të qëndrojnë pranë Iranit”, deklaroi presidenti amerikan.
Ai përsëriti “vlerësimin” e tij për anulimin e supozuar të mbi 800 ekzekutimeve të protestuesve antiqeveritarë nga regjimi — diçka që Teherani nuk e ka konfirmuar se po planifikonte ta bënte.
Bëhet e ditur se Trump kishte kërcënuar se do ta godiste regjimin nëse ai do të vriste protestues.
“Kemi një flotilje të madhe anijesh që po shkon drejt Iranit tani”, përsëriti ai.
“Shpresojmë që do të arrijmë një marrëveshje. Nëse arrijmë një marrëveshje, kjo është mirë. Nëse nuk arrijmë një marrëveshje, do të shohim se çfarë do të ndodhë”, përfundoi Trump./ Telegrafi









