Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Uashingtoni ka nisur negociatat për Groenlandën, duke e cilësuar procesin si një hap të rëndësishëm për sigurinë kombëtare amerikane.
Deklarata u bë gjatë një bisede me gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, ku Trump iu përgjigj pyetjeve lidhur me zhvillimet e fundit dhe kontaktet me liderët evropianë, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidentin francez Emmanuel Macron. “Për Groenlandën kemi nisur negociatat. Do të jetë një marrëveshje e mirë për të gjithë”, tha ai, sipas agjencisë Bloomberg.
Trump theksoi se bisedimet janë thelbësore për interesat strategjike të SHBA-së. “Kemi nisur një negociatë dhe besoj se ka një konsensus mjaft të gjerë. Dua të them, ata duan që ne ta bëjmë këtë”, u shpreh presidenti amerikan.
Sipas tij, marrëveshja që po diskutohet pritet të ketë peshë të madhe nga pikëpamja e sigurisë kombëtare.
“Mendoj se do të jetë një marrëveshje shumë e rëndësishme, në fakt shumë, shumë e rëndësishme për sigurinë kombëtare. Besoj se do ta gjejmë një marrëveshje”, përfundoi Trump.









