Fitorja e pestë radhazi në kampionat i ka dhënë mundësinë Vllaznisë të shkëputet +3 pikë në krye të Superligës. Shkodranët në ndeshjen e fundit mposhtën 0-1 Teutën falë golit të Esat Malës në pjesën e parë. Kaq mjaftoi për fitoren, teksa kjo përballje pati edhe tension mes tifozërive.
Në sfidën tjetër të së dielës, për herë të parë këtë sezon, Tirana bëri dy fitore radhazi pasi mposhti 0-1 kampionët e Egnatias. Goli i vetëm i sfidës u realizua nga Redon Xhixha në pjesën e parë, ndërsa rrogozhinasit patën akuza të rënda për arbitrat. Trajneri Tetova u shpreh se për të disatën ndeshje radhazi Egnatias po i hahet haku, duke marrë shkas nga penalltia e anuluar, por edhe dy të tjera të padhëna në pjesën e dytë sipas rrogozhinasve. Për pasojë të akuzave reagoi shoqata ‘Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë’, që tha se trajneri Tetova po përpiqet të justifikojë rezultatet jo të mira sportive.









