Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka zbardhur qëndrimin e opozitës lidhur me ngërçin e krijuar për reformën territoriale, duke vendosur një kusht të qartë për maxhorancën. Ai ka deklaruar se opozita nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e komisionit përkatës nëse Partia Socialiste nuk tërheq propozimin e saj aktual për rendin e ditës.
Fjala e Boçit
Deklarata ime, dalja ime ishte për këtë çështje shumë të rëndësishme, shumë më e rëndësishme se reforma territoriale, sepse ai komisioni kryesor në parlament, është ai këshilli, që është dhe komisioni i mandateve dhe imuniteteve, se është kuintesenca e parlamentit, ai që rregullon marrëdhëniet e deputetit me mandatin dhe ai sot mbahet peng.
Megjithatë, për hir të pyetjes tuaj, unë shpresoj që mos të kesh marrë me induksion paqartësinë e zotit Balla, se dhe ai e kishte këtë lloj paqartësie. Jo, paqartësitë duhen sqaruar, ndërkohë që unë kam deklaruar dhe deklaroj sërish që opozita ka qenë pjesë e këtij komisioni. Thirrjet e këtij komisioni nuk kanë qenë të realizuara në bazën e rregullores dhe kushtetutës.
Dhe është e qartë që si do vazhdohet, duhet një dakordësi e dy bashkëkryetarëve, meqënëse nuk është zgjedhur sekretarja e komisionit, që ne të vendosim datën e mbledhjes së komisionit. Në qoftë se ata nuk e tërheqin atë vendim, atë propozim, do të thotë që ata marrin shumicën dhe në këtë rast Partia Demokratike, opozita nuk ka asnjë arsye të jetë në atë komision. Duhet të tërheqet, të tërhiqet ai vendim, të ruhet pariteti dhe bashkëkryesia.









