Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një konferencë për mediat nga selia e PD-së, ku diskutoi mbi rritjen e kërkesave për ndryshim dhe mundësinë e protestave të pandërprera si një reagim ndaj qeverisjes aktuale.
Gjatë fjalës së tij, Berisha kritikoi ashpër qeverinë dhe sistemin e drejtësisë, duke i cilësuar ata si faktorë të degradimit të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Ai theksoi se qytetarët janë të vetmit që mund të përballen me situatën dhe se Partia Demokratike është angazhuar të luftojë për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.
„Numri i qytetarëve që kërkojnë ndryshim është në rritje dhe kjo kërkesë është e drejtë. Protestat përfaqësojnë reagimin e qytetarëve të përgjegjshëm, të cilët duan të përballen me një shtet të degraduar dhe të degjeneruar në shkallë ekstreme. Kjo betejë do të fitohet nga ata, qytetarët janë e vetmja forcë që ka mbetur përballë këtij sistemi. Morali dhe ndershmëria qytetare janë më të fuqishme se interesat abuzive. Objektivi ynë është largimi i këtij rreziku serioz për shoqërinë shqiptare,” – u shpreh Sali Berisha gjatë konferencës për shtyp.









