Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë thirrje që veteranët, familjet e dëshmorëve dhe qytetarët të mos udhëtojnë në Serbi, pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së, Mithat Llozhani.
Gucati paralajmëroi se arrestimet po bëhen duke u bazuar në lista të verifikuara nga autoritetet serbe dhe tha se kjo po krijon stres të madh për ata që janë të lidhur me UÇK-në.
Llozhani, i cili udhëtonte nga Gjermania drejt Serbisë, u ndalua në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë, dhe u akuzua nga autoritetet serbe për krime lufte kundër popullatës civile.
Gucati u shpreh se kjo ka krijuar shqetësim, duke shtuar se kartela e veteranit që iu gjet në xhepin e Llozhanit nuk ka vlerë jashtë Kosovës.
Ai bëri apel që të shmangen udhëtimet në Serbi, pasi këto veprime mund të përdoren për të bërë presion politik dhe juridik.









