Më 19 shkurt pritet të zhvillohet për herë të parë mbledhja e Këshillit të Paqes, sipas një zyrtari të administratës amerikane. Takimi do të mbahet në Uashington, në Institutin e Paqes.
“Ne mund të konfirmojmë se mbledhja e Këshillit të Paqes është planifikuar për datën 19 shkurt”, tha zyrtari për Reuters, duke shtuar se për komente të mëtejshme duhet kontaktuar Shtëpia e Bardhë, e cila nuk ka reaguar ende zyrtarisht.
Orban konfirmon pjesëmarrjen
Deri tani, të paktën një lider ka konfirmuar pjesëmarrjen. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, një nga aleatët më të afërt të Donald Trump në Bashkimin Evropian, deklaroi gjatë një tubimi elektoral në Szombathely se pas dy javësh do të udhëtojë drejt Uashingtonit për të marrë pjesë në mbledhjen inauguruese të Këshillit të Paqes.
“Mbrëmë mora një ftesë: pas dy javësh do të takohemi sërish me presidentin amerikan në Uashington, sepse Këshilli i Paqes do të mbajë mbledhjen e tij të parë”, tha Orban, në prag të zgjedhjeve parlamentare të prillit në Hungari.
Çfarë është Këshilli i Paqes
Këshilli i Paqes u themelua nga Donald Trump në fund të janarit dhe drejtohet prej tij. Sipas Trump, qëllimi i këtij organi është zgjidhja e konflikteve globale, një nismë që ka shkaktuar shqetësime se mund të minojë rolin e Kombeve të Bashkuara.
Disa liderë botërorë janë ftuar të bashkohen me këtë strukturë të re, përfshirë edhe Viktor Orban, i cili e ka pranuar ftesën. Sipas burimeve, vendet që dëshirojnë një vend të përhershëm në Këshillin e Paqes do të duhet të kontribuojnë me 1 miliard dollarë.









