Banorët e fshatit Rrjoll në Njësinë Administrative Velipojë që prej disa ditësh po protestojnë kundër ndërtimit të një resorti luksoz në pronat e tyre, siç thuhet se pas tij qëndron investitori Bashkim Ulaj.
Disa prej banorëve u kanë bërë edhe një thirrje kreut të PD Sali Berishës.
Sipas tyre, ata janë thirrur në protestën që do të mbahet të martën më 10 shkurt, por vetë Berisha nuk po i mbështet në protestën e tyre.
“Pse Sali Berisha na thërret me datën 10 kur ka interesa veta që të bëjmë rrëmujë. Kur e sheh 6 ditë këtë popull dhe nuk e çoi një përfaqësues, apo pse nuk erdhi për të na përfaqësuar e mbështetur në grevën tonë, në tokën tonë.
A mos vallë ka dorë edhe Sali Berisha në këtë mes? I lutemi, mos na thirr kur ke interesat e tua, por na mbështet edhe në interesat tona”-shprehet një prej protestuesve.
Banorët e tjerë thonë se punimet do të ndërpriten çdo ditë.
“Çfarë kemi mbetur këtu jemi, çfarë do të vijë do e shohim. Do të jetë një protestë që nuk do të mbyllet as sot as pas një muaji, i bëjmë thirrje shtetit t’i vërë këto letra në dukje”- shprehen protestuesit.
Edhe në ditën e gjashtë punimet u ndërprenë përkohësisht, teksa banorët shprehen të vendosur për të mos lejuar punimet.
Deri tani është hapur rruga drejt kantierit të ndërtimit, ndërsa vendasit thonë se në momentin që do të preket zona e plazhit dhe pylli, atëherë protestat do të jenë më të ashpra.









