Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama pas pezullimit të Belinda Ballukut nga detyra si zv/kryeministre dhe ministre.
Bardhi e cilësoi sjelljen e Ramës si një përpjekje për të mbrojtur pushtetin dhe korrupsionin, duke theksuar se veprimet e tij janë një sfidë ndaj shtetit ligjor dhe drejtësisë.
Mbrojtja e pushtetit dhe korrupsionit nuk është shtet ligjor!
Sa herë që drejtësia i afrohet pushtetit të tij të kriminalizuar dhe të korruptuar, Edi Rama zgjedh sulmin kundër drejtësisë.
Nga pezullimi kushtetues si “budallallëk botëror” tek “shpikjet e drejtësisë së papjekur”, Belinda Balluku e ka shndërruar Edi Ramën në një Don Kishot që sheh kudo armiq dhe bën beteja me mullinjtë e erës. Por problemi nuk janë metaforat e Ramës. Problemi është frika e kryeministrit për shkak të punëve të tij të zeza.
Sepse kur një Kryeministër del publikisht për të delegjitimuar një vendim gjykate, ai nuk po mbron vetëm një ministre. Po mbron pushtetin e vet për ta vendosur atë mbi ligjin. Dhe çdo fjali e Ramës tregon një gjë: ai nuk e pranon kufirin e ligjit, duke shpallur veten “garant të vetëm” të drejtësisë. Por në një shtet ligjor drejtësinë nuk e garanton as një njeri, as një parti.
E garanton Kushtetuta.
E garanton ndarja e pushteteve.
E garanton barazia para ligjit.
Edi Rama as sot, as kurrë nuk ka qenë garant i drejtësisë. Ai ka qenë, është dhe do të jetë pengesa e saj. Sepse drejtësia e pavarur nuk ka nevojë për tutorë politikë. Ka nevojë për heshtjen e pushtetit dhe forcën e ligjit.
Drejtësia nuk është mulliri i askujt. Dhe Shqipëria nuk ka nevojë për një garant personal të ligjit. Ka nevojë për ligj që zbatohet njësoj për të gjithë. Si për Lindën e AKSHI-t dhe për Belindën e qeverisë.
Të hënën duhet të mblidhet Këshilli i Mandateve.
Të hënën duhet të shqyrtohet kërkesa e SPAK.
Të hënën Kuvendi duhet t’i hapë rrugë arrestimit.
Çdo vonesë tjetër do të jetë një akt i qartë pengimi ndaj drejtësisë.