Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka denoncuar një rast grabitjeje të tokës publike në fshatin Imshtë, Lushnjë, ku po planifikohet ndërtimi i një parku fotovoltaik.
Braçe e ka akuzuar Policinë e Lushnjës se po vepron në mbështetje të individëve që synojnë të përvetësojnë tokën e lumit, duke shkelur ligjin dhe duke mbrojtur interesat e paligjshme.
Sipas deputetit, toka është pronë publike dhe çdo veprim për t’ia hequr kontrollin bujqve është grabitje dhe shpërdorim detyre nga autoritetet.
Postimi i plotë i Erion Braçes në Facebook
“Lushnjë, njësia Bubullimë, fshati Imshtë Grabitje e tokës publike live! Habia e madhe? Bujqit po mbrojnë tokën publike, policia vepron si përmbaruese e grabitjes së tokës! Ky që shihni në video, që ju bërtet bujqve e ju thotë “boll bërtitet” është agai i ri që do të ndërtojë panele fotovoltaike mu në këtë tokë! Ç’ është kjo tokë? Është një sipërfaqe toke nga buza e lumit Seman deri në argjinaturë. Është kjo mbi të cilën po rrijnë bujqit. Ç’thotë ligji?
Ligji “Për burimet ujore” përcakton qartë se kjo tokë është “tokë e lumit” pra tokë publike e pa tjetërsueshme dhe paparashkrueshme! Një rrjesht i gjatë institucionesh publike janë përfshirë në grabitjen e kësaj toke dhe kanë shkelur kriminalisht ligjin. Një vit e gjysmë më parë, si deputet i këtyre njerëzve, kam kallëzuar në prokurori gjithkënd; javën që shkoi konfirmova në Prokurorine e Fierit se çështja është nën hetim dhe janë në valën e dytë të kryerjes së veprimeve hetimore. Pyetja që kam tani është e qartë: kur çështja është nën hetim në Prokurorinë e Fierit, ç’punë ka Policia e Lushnjës në krah të një personi që kërkon të përfundoje grabitjen e tokës nga një farë bilbili?
Dy javë të shkuara, ky tip ishte në Imshtë pa policinë, por me kriminelë që bënin çmos tu dukeshin armët; kanë kërcënuar banorët dhe ju kanë përmendur jetën e fëmijëve. A ka turp më të madh se Policia e Shtetit sot në mbrojtje të një grabitjeje ditën për diell kur ligji është shumë i qartë?! Është e përsëritur kjo!
Një vit e gjysmë më parë, me mbështetje të një politikani, i njëjti tip kishte përsëri policinë me vete deri ditën që politikani ra nga karrigia! Nga ajo ditë, kjo përpjekje u shua dhe prokuroria po heton. Nuk di cili është politkani që po i del për zot këtë herë, por dua të theksoj me forcë: sipas ligjit, kjo është tokë e shtetit, e patjetërsueshme dhe e paparashkrueshme; Gjithccka që po ndodh është grabitje dhe shpërdorim detyre nga ana e policisë!”
/5pyetjet.al









