-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Evarist Beqiri: Një gjykatë e ndarë me dysh që nuk guxoi të zgjedhë

Kryesoret

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e pezullimit nga detyra të ministres Balluku nuk është thjesht një kazus juridik. Vendimi është një pasqyrë e qartë e dilemës më të madhe që po përjeton sot demokracia shqiptare. Gjykata Kushtetuese vendosi me “mosvendimin” e saj, por nuk guxoi të zgjedh.

Ky është një vendim unik. Gjykata Kushtetuese u nda më dysh. Gjykata Kushtetuese zgjodhi që të mos udhëheq, por të ndjek.

Praktikisht, masa e pezullimit nga detyra nuk u hoq. Por, kjo nuk ndodhi përmes një arsyetimi të qartë me shumice vendimmarrëse, por përmes një ndarjeje 4 me 4, që prodhoi një “mosvendim” me pasoja të plota juridike. Kjo është një anomali që nuk duhet kaluar lehtë.

Gjykata, nga njëra anë, pranoi njëzëri se neni 242/2 i Kodit të Procedurës Penale, që ndalon pezullimin për personat e zgjedhur sipas ligjit elektoral, nuk zbatohet për ministra apo deputetë. Ky është një konstatim i rëndësishëm, sepse heq çdo mburojë procedurale ligjore ndaj masës së pezullimit. Logjikisht, kjo duhet ta çonte gjykimin drejt përfundimit se masa është e zbatueshme.

Por pikërisht në këtë moment, arsyetimi juridik këputet. Gjykata zhvendos debatin nga ligji procedural te imuniteti kushtetues dhe ndahet në dy qëndrime të barabarta. Njëra gjysmë e konsideron pezullimin si ndërhyrje në funksionin politik të ministrit që kërkon autorizim të Kuvendit. Këtu flitet për krijimin e një norme të re kushtetuese.

Ndërkohë gjysma tjetër mbron interpretimin e ngushtë të imunitetit, duke theksuar se Kushtetuta nuk parashikon një autorizim të tillë për këtë masë. Kjo është një kontradiktë e brendshme logjike. Aty nga njëra anë përjashtohet mbrojtja ligjore, por nga ana tjetër kërkohet një mbrojtje kushtetuese që nuk është e shkruar.

Në thelb, Gjykata Kushtetuese nuk e zgjidhi konfliktin. Gjykata Kushtetuese e administroi atë. Gjykata Kushtetuese kishte mundësinë që të udhëhiqte, por zgjodhi që të ndiqte.

Gjykata Kushtetuese nuk është një organ kompromisi politik. Ajo është arbitri përfundimtar i kufijve të pushtetit. Por, kur arbitri nuk flet qartë, loja bëhet e rrezikshme.

Nëse pezullimi i një ministri konsiderohet automatikisht ndërhyrje në ekzekutiv, atëherë çfarë mjeti real i mbetet drejtësisë për të parandaluar përdorimin e pushtetit gjatë hetimit penal? A mos po mbrohet më shumë këtu integriteti i funksionit publik sesa integriteti i procesit penal? Dhe nëse edhe Gjykata Kushtetuese nuk arrin të artikulojë qartë kufijtë e kompetencave, kush e mbron qytetarin nga arbitrariteti i pushtetit?

Në këtë çështje nuk u gjykua një ministre. Aty u testua forca reale e shtetit të së drejtës. Dhe testi tregoi një sistem që heziton të marrë vendime të vështira kur ato prekin majën e pushtetit. Një Gjykatë Kushtetuese e fortë nuk është ajo që shmang konfliktin, por ajo që e zgjidh atë me qartësi.

Gjykata nuk mbrojti qartë gjyqësorin, por nuk mbrojti qartë as ekzekutivin. Ajo prodhoi një vendim procedurial, jo vendim kushtetues në kuptimin e fortë. Gjykata Kushtetuese zgjodhi që të mbijetojë, jo që të udhëheqë doktrinën.

Ne sot kemi dy Gjykata Kushtetuese brenda një trupi të vetëm. Ky vendim prodhoi një çarje doktrinare serioze, jo thjesht një debat teknik. Gjykata nuk foli qartësisht, duke vendosur një standard përfundimtar.

Gjykata Kushtetuese nuk zgjodhi. Kjo përforcon perceptimin e dobësisë së saj. Kjo përçon konfuzion, vendime hibride dhe mungesë autoriteti. Kjo dëmton besimin në drejtësinë kushtetuese, në një moment kur Shqipëria po lëngon për të.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit