Komisioni Evropian ka bërë thirrje për një veprim të shpejtë nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas një përplasjeje të dukshme institucionale mes qeverisë, Kuvendit dhe organit të drejtësisë.
Ky reagim i BE-së vjen në një kohë kur tensionet po rriten rreth mundësisë që Balluku të arrestohet, ndërsa Komisioni thekson rëndësinë që ka lufta kundër korrupsionit për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Siç theksohet në deklaratat e Komisionit, trajtimi i kësaj çështjeje pa vonesa është një test për integritetin e institucioneve dhe përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri.
Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë që të shqyrtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij.
Lufta efektive kundër korrupsionit është me rëndësi thelbësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, që përbën edhe pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë.
Institucionet e Bashkimit Evropian janë në dialog të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare.
Mbledhja e Komitetit BE–Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë do të zhvillohet në fillim të muajit mars dhe do të shërbejë si një mundësi për të vijuar diskutimet mbi reformën në drejtësi në vend.
A konsiderohet se kjo çështje ka ndonjë ndikim në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian?
Bashkimi Evropian i kushton një rëndësi të veçantë sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si edhe punës së kryer në kuadër të reformës në drejtësi.
Komisioni Evropian monitoron dhe raporton mbi përparimin në këtë fushë në kuadër të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër dhe të mbështesim forcimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si pjesë përbërëse e procesit të integrimit evropian të vendit.
/5pyetjet.al









