Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së paraqitur nga Kryeministri lidhur me konfliktin e kompetencave mbi caktimin e masave ndaluese të pezullimit, në opinionin publik është hedhur ideja se çfarë mund të ndodhë nëse një prokuror i strukturës së posaçme vendos të pezullojë Presidentin e Republikës ose Kryeministrin. Për të sqaruar lexuesit, po paraqes një shpjegim të thjeshtë juridik mbi arsyet përse një situatë dhe argument i tillë është realisht përtej çdo fantazie për Presidentin e Republikës, ndërsa për Kryeministrin është juridikisht e mundshme.
Masat e sigurimit, cilatdo qofshin ato, me karakter shtëngues ose ndalues mund të jepen vetëm për ato krime të cilat potencialisht janë kryer ose dyshohet se janë kryer bazuar mbi prova. Dyshimi i arsyeshëm i bazuar mbi prova është standardi i vendosurnga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudenca e GJEDNJ, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë dhe jurisprudenca e Gjykatës së Lartë.
Presidenti i Republikës është Kreu i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. Institucioni i Presidentit është i parashikuar nga nenet 86 e vijues të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Kushtetuta i atribuon Presidentit kompetenca ekskluzivisht kushtetuese, të parashikuara në nenin 92 të saj, të cilat, për nga natyra e tyre, nuk mund të prodhojnë fakte dhe përgjegjësi penale, përderisa ushtrohen brenda kufijve të Kushtetutës dhe ligjit.
Si rrjedhojë ndaj Presidentit, nuk mund të aplikohenjuridikisht masa ndaluese personale, përfshirë edhe masën e pezullimit. Kompetenca të cilat kurrësesi nuk mund të prodhojnë gjithashtu një fakt penal qoftë edhe të prezumuar, ligji më I lartë I shtetit parashikon edhe për kryetarin e Kuvëndit.
Ndryshe paraqitet situata në rastin e Kryeministrit, i cili përveç kompetencave kushtetuese, ushtron edhe detyra administrative dhe ekzekutive, të parashikuara në nenin 102, shkronja “d” të Kushtetutës, si dhe në ligje të veçanta. Këto detyra përfshijnë drejtimin e administratës shtetërore,zbatimin e ligjeve dhe menaxhimin e burimeve publike.
Në ushtrimin e këtyre detyrave, Kryeministri mund të kryejë veprime apo mosveprime që mund të përbëjnë vepra penale, si në rastin tipik të shpërdorimit të detyrës, por edhe vepra të tjera të parashikuara në Seksionin II të Kreut VIII të Kodit Penal. Pikërisht për këtë arsye, ndaj Kryeministrit mund të zbatohen masa ndaluese personale, përfshirë edhe pezullimin nga detyra, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe legjislacionin përkatës.
Në përfundim, Presidenti i Republikës gëzon një status kushtetues të veçantë, që e përjashton nga përgjegjësia penale funksionale dhe nga aplikimi i masave ndaluese personale, ndërsa Kryeministri, për shkak të natyrës ekzekutive dhe administrative të funksionit të tij, mund të jetë subjekt i ndjekjes penale dhe i masave procedurale, përfshirë pezullimin nga detyra.









