Opozita zhvilloi mbrëmjen e sotme protestën e radhës kombëtare në Tiranë përballë Kryeministrisë. Ilir Alimehmeti u shpreh se rezistenca duhet të vazhdojë.
“Një orë e më parë duhet t’i themi këtij njeriu me pushtet absolut prej 13 vitesh se sot nuk ka më justifikime. Nuk ka më fajtorë të tjerë. Kur ke gjithë pushtetin, ke edhe gjithë përgjegjësinë. Mund të flasim për dështimin e qeverisë, por nuk ka akuzë më të madhe sesa ajo që vjen nga populli kur ikën. Kur populli largohet, kjo është akuza më e madhe: shpopullimi i vendit.
Unë kujtoj një vend ku kishim dy fjalë: nënë dhe baba. Kujtoj mashkull dhe femër. Sot kjo qeveri flet për dhjetëra gjini. Kujtoj një vend ku ndërtonim rrugë kombëtare të sigurta. Kujtoj një vend që hoqi vizat me vendet e BE-së dhe u bë anëtar i NATO-s. Kjo ishte e paimagjinueshme. Ne kemi arritur përpara.
Ta kthejmë Shqipërinë te vlerat europiane. Duhet të largohet Rilindja, duhet të largohet Edi Rama. Kam para syve dhjetëra burra dhe gra që me forcën e tyre mund ta arrijnë këtë për ju dhe për familjet tuaja. Së bashku, po të qëndrojmë, Shqipëria fiton” tha ai.









