Media gjermane DW i ka bërë jehonë protestës së djeshme në Shqipëri e organizuar nga PD, duke shkruar:
Ndryshe nga protesta e 24 janarit, tensionet këtë herë ishin më të forta dhe rezistenca më e gjatë. Prej orës 17:00, mbështetësit e opozitës u grumbulluan përpara Kryeministrisë në pritje të fjalimeve dhe nisjes së protestes. Kulmi i saj u shënua me fjalën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e cilësoi situatën politike si “momentin më kritik të Shqipërisë në 35 vitet e fundit”. Ai u bëri thirrje mbështetësve të tij për vijimin e protestave deri në largimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe rrëzimin e qeverisë “Rama”.
“Për të votuar të lirë, të ngrihemi, të largojmë Ramën nga pushteti, të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, deklaroi Berisha.
Fill pas fjalës së tij, drejt godinës së Kryeministrisë u hodhën molotovë dhe mjete piroteknike. Ndërsa Berisha valëviste flamurin kombëtar nga podiumi, protestuesit u përplasën me forcat e policisë, të cilat ndërhynë për të neutralizuar situatën.
Gjatë protestës pati konfrontime fizike ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.
Përplasjet u intensifikuan më pas pranë Kuvendit te Shqipërisë, ku përveç molotovëve dhe përplasjeve fizike u përdor edhe gaz lotsjellës si kundërpërgjigje nga forcat e policisë. Sipas autoriteteve, 16 efektivë policie mbetën të plagosur dhe u transportuan me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore, si pasojë e djegieve nga molotovët. Në Spitalin e Traumës përfundoi edhe deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, i cili u plagos gjatë përplasjeve.
Pas shpërndarjes së protestuesve nga policia, kreu i Partisë Demokratike paralajmëroi zhvillimin e një proteste të re më 20 shkurt. “20 shkurti është dita jonë, dita e fitores. Nderim protestuesve, fitore!”, deklaroi Berisha, duke sinjalizuar vijimin e aksionit opozitar./ DW









