Sot po zhvillohet dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.
Kryeprokurorja e Speciales, Kimberly West, gjatë fjalës së saj përfundimtare të hënën, kërkoi 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, përkatësisht për Hashim Thaçin dhe të tjerët, që në total arrin 180 vjet.
Rreth kësaj, avokati i ish-presidentit, Luka Mishetiç, deklaroi se me kërkesën për 45 vjet, ZPS-ja po synon burgim të përjetshëm.
I njëjti kërkoi që Hashim Thaçi të shpallet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, të lirohet dhe të kthehet te familja e tij dhe vendi i tij.
Mishetiç shtoi se vetë Gjykata Speciale dhe Prokuroria e Specializuar nuk do të ekzistonin po të mos ishte Hashim Thaçi i cili krijoi këtë institucion për ta pastruar emrin.
Prokuroria sipas avokatit kryesor të Thaçit ishte në test dhe, dështoi. “Prezantoi aktakuzë me plot të meta, jo konsistente dhe argumente të palogjikshme”, tha avokati Mishetiç.









