Sot zhvillohet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të votohet për kryetarin dhe nënkryetarët.
Seanca konstituive si gjithnjë do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër, që në këtë legjislaturë është Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa deputetja më e re, Fatma Taçi nga KDTP, do të shërbejë si ndihmëse në hapje të punimeve.
Në rendin e ditës përfshihet fillimisht formimi i Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, pasuar nga betimi i tyre.
Më pas do të vijojë votimi për kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët. Siç është bërë e ditur se nënkryetarët pritet të votohen si një pako e vetme, për të përshpejtuar procesin e konstituimit dhe më pas të vazhdohet me formimin e qeverisë.
Deputetja Mimoza Kusari Lila ka konfirmuar para nisjes së seancës konstituive se Albulena Haxhiu do të jetë kandidatja e Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit.
“Po besoj, edhe e propozuar edhe kryetare e Kuvendit”, tha ajo, kur u pyet nëse Haxhiu do të jetë e propozuara a LVV-së për kryetare të legjislativit.
Rendi i ditës i seancës:
Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
Betimi i deputetëve,
Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,
Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit









