Serbia reagoi ndaj takimit trepalësh mes ministrave të Mbrojtjes së Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë në Tiranë, i cili synonte thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ushtarak.
Deklarata e plotë
Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë dënon ashpër takimin trepalësh të përfaqësuesve të Shqipërisë, Kroacisë dhe Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë, i cili synon të thellojë bashkëpunimin dhe koordinimin ushtarak, duke përfshirë plane dhe aktivitete specifike me natyrë sigurie.
Veprime të tilla përfaqësojnë një shpërfillje të hapur dhe shkelje të rëndë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës. Kosova dhe Metohia është pjesë integrale e Republikës së Serbisë, nën administrimin e përkohshëm të OKB-së, dhe KFOR-i është i vetmi formacion i armatosur legjitim në territorin e Kosovës dhe Metohisë, me një mandat të përcaktuar qartë.
Përpjekjet për të institucionalizuar dhe forcuar më tej të ashtuquajturat Forca të Sigurisë së Kosovës përmes marrëveshjeve ushtarake rajonale përfaqësojnë një goditje të drejtpërdrejtë ndaj rendit juridik ndërkombëtar dhe një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon. Lëvizje të tilla kanë potencialin të prodhojnë pasoja afatgjata të sigurisë dhe të destabilizojnë situatën në Ballkanin Perëndimor.
Republika e Serbisë e sheh këtë aleancë ushtarake si një faktor presioni dhe një sfidë sigurie për Serbinë dhe popullin serb në Kosovë dhe Metohi. Vendi ynë mbetet i përkushtuar për ruajtjen e paqes, por në të njëjtën kohë dërgon qartë një mesazh se nuk do të lejojë që interesat e tij jetësore kombëtare dhe mbrojtëse të rrezikohen.









