Sot nis dita e katërt e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë. Kadri Veselin e përfaqëson avokati Rodney Dixon. Ai i ka nisur deklaratat e para përmbyllëse dje dhe i vazhdon sot deri në orën 13:00.
Avokati Dixon ka kaluar më pas te çështja e viktimave të luftës në Kosovë, por edhe aty i ka pasur dy fjalë për pretendimet e Prokurorisë.
“Viktimat kanë nevojë për drejtësi, e cila duhet të jetë e bazuar në të vërtetën dhe në realitetin. Viktima e dinë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar, e rreme.
Me synimin që t’i jepet fund pandëshkueshmerisë është e nevojshme të mos sakrifikohet e vërteta, duhet të mbrohen të pafajshmit dhe gjykatat tona duhet të jenë me gjykata me integritet, pavarësisht nëse duhen mbi pesë vjet apo më gjatë për të arritur deri te përcaktimi i së vërtetës, siç ndodh këtu.
Ne duhet të ecim në drejtim të saj për të arritur në fund të këtij gjyqi, tani që e dimë se cilat janë argumentet që përdor Zyra e Prokurorit ë Specializuar”.
“Dëshmitarët e thirrur nga ZPS-ja janë thirrur për pohimin e vërtetësisë të qëndrimit të saj. Por, në të njëjtën kohë ne kemi parë që ZPS-ja ka sulmuar dëshmitarë dhe kemi pasur persona të vërtetë prej të cilëve ZPS-ja nuk ka marrë përgjigje, derisa gënjeshtarëve u ka dhënë mundësi për t’i dhënë përgjigjet e tyre.
Kështu që, si është e mundur që gjykata të mbështetet në pjesë të caktuara të dëshmitarëve për të dhënë vendim fajësie përtej dyshimit të arsyeshëm, ndërkohë që për të tjerët thuhet se nuk mund të besohen për asnjë aspekt? Ka pasur persona që kanë gënjyer nën betim, duke mos e thënë të vërtetën”, ka deklaruar Dixon.









