Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në konkursin për godinën për institucionet e drejtësisë. Rama se godina do të jetë gati në 2031-shin.
“Për fat të keq trashëgimia në këtë drejtim është goxha problematike, kemi shumë institucione që janë qiramarrës në godina dhe hapësira private.
Kemi filluar një proces që do na çojë drejt zgjidhjes përfundimtare me Korporatën Shqiptare të Investimeve, duke marrë pronat shtetërore që janë ende në Tiranë apo vende të tjera, duke i vënë në dispozicion të këtij interesi publik”, tha ai, në Konkursin Ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë.
Njoftoi se Qendra e re e Drejtësisë, përbën një investim të jashtëzakonshëm.
“Është një financim i madh. Shpronësim, plus investim, gjithçka duhet për ta mobiluar etj etj.. Çdo prokuror e gjykatës do të ndihet njeriu më i nderuar kur hyn brenda, edhe kur sheh muret. T’ja thonë çdo mëngjes se je i privilegjuar nga ky shtet dhe kjo republikë sepse është privilegj për punën që bën.
Për ne, është një përpjekje që nuk ndalet pavarësisht surprizave që na bëni herë pas here, por janë pjesë e një sistemi të ri që kërkon kohën e vet. Ky është edhe rasti që të shkojmë në paraburgim për shpërdorim detyre”, përfundoi me ironi kryeministri.









